Botë

Bolsonaro vihet nën llupën e Gjykatës së Lartë të Brazilit

Gjykata e Lartë e Brazilit ka rënë dakord të përfshijë ish-presidentin e krahut të djathtë, Jair Bolsonaro në hetimin e saj për sulmin ndaj ndërtesave qeveritare në Brasília.

Është hera e parë që Bolsonaro është emëruar ndër ata që mund të jenë përgjegjës për trazirat e 8 janarit, raportoi BBC-ja të shtunën.

Vendimi vjen disa ditë pasi Bolsonaro postoi një video duke vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të tetorit. Prokurorët thanë se Bolsonaro mund të ketë nxitur një krim duke bërë pretendime të tilla.

Ata i kërkuan Gjykatës së Lartë të premten përfshirjen e ish-presidentit në hetim.

Videoja e Bolsonaros pretendonte se presidenti, Luiz Inácio Lula da Silva nuk u votua në detyrë, por u zgjodh nga Gjykata e Lartë dhe autoriteti zgjedhor i Brazilit.

Duke vënë në pikëpyetje votën "Bolsonaro do të kishte nxitur publikisht kryerjen e një krimi", tha zyra e prokurorit të përgjithshëm (PGR) në një deklaratë.

Ndërsa videoja u postua pas trazirave të së dielës dhe u fshi më vonë, zyra e prokurorit të përgjithshëm argumentoi se përmbajtja e saj ishte e mjaftueshme për të justifikuar hetimin paraprak të sjelljes së Bolsonaros.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, njoftoi se Bolsonaro do të përfshihej në hetim për atë që PGR-ja tha se ishte "nxitja dhe autorësia intelektuale" e trazirave.