Botë

Stoltenberg: Është koha që Suedia të anëtarësohet në NATO, ajo ka bërë gjithçka që kërkon Turqia

Është koha që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s sepse ka bërë gjithçka që është e nevojshme që Turqia të miratojë anëtarësimin e saj, tha sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

"Ka ardhur koha që procesi i ratifikimit për Suedinë të përfundojë. Jam i bindur se Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s. Nuk dua të jap një datë të saktë se kur do të ndodhë kjo. Procesi i hyrjes së Suedisë ka kaq ka qenë shumë e pazakontë dhe e shpejtë, zakonisht duhen disa vite”, tha Stoltenberg për gazetën suedeze Aftonbladet.

Në maj, Suedia dhe Finlanda fqinje hoqën dorë nga politika e tyre prej dekadash e neutralitetit ushtarak dhe aplikuan për t'u bashkuar me NATO-n, pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt. Hyrja e një vendi në NATO kërkon miratimin e të gjithë anëtarëve të Aleancës.

Parlamentet e 28 nga 30 anëtarët e NATO-s kanë ratifikuar protokollin për pranimin e Suedisë dhe Finlandës, dhe vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë bërë ende këtë. Turqia po u bën presion dy vendeve nordike për të goditur grupet që Ankaraja i konsideron organizata terroriste dhe për të ekstraduar persona të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin.

Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavushoglu tha se Suedia nuk ishte "as gjysma e rrugës" në përmbushjen e angazhimeve që mori për të siguruar mbështetjen e Ankarasë për t'u bashkuar me NATO-n. Para kësaj, një gjykatë suedeze nuk miratoi ekstradimin e një gazetari të kërkuar nga Turqia për lidhje të dyshuara me grusht-shtetin e dështuar në 2016.

Kryeministri suedez Ulf Kristerson tha dje, në një konferencë për mbrojtjen dhe sigurinë ku mori pjesë Stoltenberg, se Turqia ka kërkesa që Suedia nuk mund dhe nuk dëshiron t'i përmbushë./KSP