Botë

Inteligjenca estoneze paralajmëron një valë të dytë mobilizimi nga Rusia

Kreu i qendrës së inteligjencës së Forcave të Mbrojtjes së Estonisë, Margo Grosberg, ka thënë se pas Krishtlindjeve ortodokse, Rusia do të nisë një valë të re mobilizimi në rajone të caktuara të vendit, shkruan BBC. 

Koloneli Grosberg ka theksuar se vala e parë e mobilizimit të rezervistëve në Rusi nuk ka përfunduar ende, por është ndalur vetëm në ato rajone ku janë plotësuar kuotat.

"Po marrim informacione të ndryshme se po bëhen përgatitje në provinca. Një shembull vjen nga rajoni i Krasnodarit, ku janë urdhëruar edhe 5000 thirrje për mobilizim. Pas përfundimit të 'pushimeve' të Krishtlindjeve, mund të presim një valë të re mobilizimi. Javën e ardhshme gjithçka do të jetë e qartë”, ka thënë ai.

Grosberg ka thënë se rreth 300 mijë rezervistë rusë i janë nënshtruar trajnimeve dhe se për një muaj e gjysmë ose dy, ata do të vendosen në front ose afër kufirit.

"Në bazë të përvojës nga vala e parë, mund të thuhet se trajnimi i rezervistëve zgjat dy deri në tre muaj. Kjo do të thotë se të mobilizuar në valën e dytë, ata do të mbërrijnë në front në fillim të prillit", ka shtuar koloneli estonez.