Botë

SHBA-ja e Serbia nënshkruajnë memorandum: Serbia me ndërlidhës në DASH

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, kanë nënshkruar të enjten një memorandum në mes të Departamentit të Shtetit dhe MPJ-së së Serbisë.

Siç ka thënë Hilli në konferencën për media pas nënshkrimit, memorandumi ia mundëson Serbisë një zyrtar ndërlidhës, pozitë për një diplomat serb, që do të punojë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Është mundësi që diplomatët tanë të njihen njëri-tjetrin. Serbia ka traditë të diplomatëve shumë të mirë”, ka thënë Hilli, shkruan “Euronews Serbia”.

Hilli po ashtu ka thënë se të dyja shtetet janë në të njëjtën faqe sa i përket shumicës së problemeve me të cilat po përballet bota.

Në anën tjetër, Daçiqi është shprehur i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit ekonomik Serbi-SHBA.