Botë

Rusia reagon për deklaratat e Pence në Mal të Zi, e quan luftë të ftohtë

"Pence pasqyroi në Ballkan ideologjinë e Luftës së Ftohtë".

Ky ka qenë komenti zyrtar i Rusisë pas deklaratave "thumbuese" të zëvëndëspresidentit amerikan gjatë vizitës së tij zyrtare në Ballkanin Perëndimor, transmeton Syri raportimet.

“Rusia dënon komentet destabilizuese të nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë zyrtare -Është për të ardhur keq se Uashingtoni po shkon gjithnjë e më thellë drejt ideologjisë primitive të Luftës së Ftohtë.”

Gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, më 2 gusht, Pence u shpreh se “Rusia ka punuar për destabilizimin e rajonit, minimin e demokracisë dhe ndarjen nga njëri-tjetri dhe nga gjithë Evropa”.

Ai shkoi edhe më tej, duke u bërë thirrje liderëve të Ballkanit “të bashkohen pa kompromis për t’u përballur me agresionin rus”.

Por ministria ruse ka thënë se Pence ka prezantuar një zgjidhje destruktive, e cila “pa dyshim do të ndihmojnë në rritjen e tensioneve” në Ballkan, raporton "Reuters".

“Shtetet e Bashkuara janë duke e përmendur vazhdimisht teorinë e tyre se Evropa Juglindore nuk ka zgjidhje tjetër, përveç anëtarësimit në NATO”, ka shtuar ministria.

Rusia ka bërë thirrje SHBA-së, të ndalojë dezinformimin për Rusinë dhe politikën e saj të jashtme, duke thënë se shteti rus është i gatshëm të punojë me partnerët ndërkombëtar.