Botë

Putini e fton Xi-n të shkojë në Moskë

Një takim mes presidentit kinez, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin është duke u zhvilluar përmes një video-konference.

Analistët po vëzhgojnë takimin e tyre online për të parë ndonjë shenjë zbutjeje të mbështetjes së liderit kinez për homologun e tij rus, ndërsa lufta në Ukrainë po zvarritet dhe ndërsa Kina përballet me një shpërthim të paprecedentë të virusit COVID, raportoi CNN-i të premten.

Në fjalën hyrëse të transmetuar nga televizioni rus, Putin e ftoi Xi-n të vizitojë Moskën pranverën e ardhshme. Ai shtoi se të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin midis forcave të tyre të armatosura dhe vuri në dukje rritjen e tregtisë pavarësisht "kushteve të pafavorshme të tregut".

“Marrëdhëniet dypalëshe janë më të mirat në histori dhe u rezistojnë të gjitha sprovave. Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje për shkaqet, rrjedhën dhe logjikën e transformimit të vazhdueshëm të peizazhit gjeopolitik global”, ka deklaruar Putin.

Moska dhe Pekini janë afruar më shumë në vitet e fundit, pasi Xi dhe Putin deklaruan se të dy vendet kishin një partneritet "pa kufij" disa javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në shkurt.

Që atëherë, Kina ka refuzuar të dënojë agresionin, duke hedhur në mënyrë të përsëritur fajin për konfliktin mbi NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, dhe duke mbetur një nga mbështetësit kryesorë të mbetur të Rusisë, ndërsa ajo po bëhet gjithnjë e më e izoluar në skenën globale.

Por më shumë se 10 muaj pas luftës së rëndë, bota duket shumë më ndryshe, dhe dinamika mes të dy partnerëve ka ndryshuar në përputhje me rrethanat, thonë ekspertët.