Botë

Tajvani e zgjat shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Tajvani do ta zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga katër muaj në një vit, ka bërë të ditur presidentja, Tsai Ing-wen.

Vendimi vjen mes tensioneve në rritje me Kinën, e cila pretendon ishullin e vetëqeverisur si territorin e saj, raportoi BBC-ja.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, presidentja Tsai njoftoi plane të reja për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit në rast të një sulmi nga Pekini.

"Paqja nuk do të bjerë nga qielli. Tajvani është në vijën e parë të zgjerimit autoritar”, ka thënë ajo.

Presidentja Tsai tha se rekrutët do t'i nënshtrohen gjithashtu trajnimeve më intensive, duke huazuar disa elementë nga SHBA-ja dhe ushtri të tjera të përparuara. Ajo shtoi se sistemi aktual i mbrojtjes së ishullit ishte i pamjaftueshëm për të përballuar agresionin nga Kina, e cila ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të përparuara në botë.

Ushtria tajvaneze është tkurrur që nga fillimi i viteve 1990, kur të gjithë burrat mbi moshën 18 vjeç ishin të detyruar të shërbenin në ushtri deri në tre vjet. Gjatë dekadave të ardhshme, shërbimi u shkurtua në një vit e 10 muaj përpara se të reduktohej më tej në katër muaj. Rregulli i ri hyn në fuqi në janar 2024 - në të njëjtin muaj që Tajvani do të zgjedhë presidentin e ardhshëm.

“Ky është një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por si presidente, si kreu i forcave ushtarake, është detyra ime e pashmangshme të mbroj interesat kombëtare dhe mënyrën tonë të jetesës demokratike”, ka thënë presidentja Tsai.

Tensionet midis Taipeit dhe Pekinit u rritën në gusht pas një vizite në ishull nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi.

Pekini u përgjigj duke mbajtur stërvitjet e tij më të mëdha ushtarake ndonjëherë në detet rreth Tajvanit. Ndërkaq, Taipei i quajti stërvitjet "shumë provokuese".