Botë

Ukraina do ta kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së

Ukraina pritet ta kërkojë të hënën përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB), dhjetë muaj që nga nisja e ofensivës ruse në Ukrainë, ndërkohë që lideri i Rusisë, Vladimir Putin, po e akuzon perëndimin se po tenton ta “shkatërrojë” vendin e tij.

Të dielën, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha se Kievi zyrtar do të kërkojë që Rusisë t’i hiqet statusi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – ku e ka një ulëse bashkë me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Kinën.

“Nesër ne do ta shprehim zyrtarisht qëndrimin tonë. Ne e kemi një pyetje shumë të thjeshtë: A ka Rusia të drejtë të mbetet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe thjesht të jetë në Kombet e Bashkuara?”, tha Kuleba.

“Ne e kemi një përgjigje bindëse dhe të arsyeshme – jo, nuk ka [të drejtë]”.

Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të fuqishëm të Sigurimit, me 15 ulëse, kanë të drejtën e vetos që mund ta përdorin për ta bllokuar çfarëdo rezolute.

Të dielën, presidenti rus, Putin, tha se ofensiva e tij në Ukrainë ka për qëllim ta “bashkojë popullin rus”, ndërsa i akuzoi “kundërshtarët gjeopolitik” se synojnë ta shkatërrojnë “Rusinë historike”.

Putini e ka përdorur konceptin e “Rusisë historike” për të argumentuar se ukrainasit dhe rusët janë një popull, duke e kundërshtuar kështu sovranitetin e Kievit dhe duke e arsyetuar ofensivën në Ukrainë.

“Përçarje dhe mposhtje, këtë kanë kërkuar gjithmonë ta arrijnë dhe vazhdojnë ta synojnë”, tha Putin në një intervistë televizive.

“Por, qëllimi ynë është tjetër: ta bashkojmë popullin rus”.

Ai përsëriti se Moska është e gatshme për negociata dhe u duk i qetë kur u pyet për sistemin e ri të mbrojtjes ajrore me të cilin do ta furnizojë Ukrainën SHBA-ja.

“Natyrisht se do ta shkatërrojmë atë, 100 për qind!”, tha Putini, duke iu referuar sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot që iu premtua presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Javën e kaluar, Zelensky mori zotime për përkrahje nga Uashingtoni gjatë vizitës së tij të parë jashtë Ukrainës që nga nisja e luftës në shkurt.

Ndihmat financiare dhe ushtarake nga perëndimi kanë qenë kyçe në fitoret ukrainase kundër ushtrisë ruse, përfshirë këtu atë në Kherson – kryeqytetin e vetëm rajonal që kontrollohej nga Rusia.

Edhe pse Rusia është mbrapsur nga Khersoni, qyteti mbetet brenda rrezes së armëve ruse dhe është nën rrezik të vazhdueshëm. /REL