Botë

Belgët me protesta kërkojnë paga më të larta shkaku i inflacionit

Descriptive Text

Më shumë se 15 mijë protestues u kanë rezistuar temperaturave të ulëta në Bruksel për të kërkuar masa mbrojtëse ndaj çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe paga më të mira për ta përballuar inflacionin.

Për shkak të protestës masive, e cila është përkrahur nga tri sindikatat kryesore të punëtorëve, është bllokuar shërbimi publik, sidomos rrjeti hekurudhor dhe i metrosë. Ndërkaq, vonesa janë raportuar edhe në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit.

Me belgët nën presion shkaku i çmimeve të larta, sindikatat kanë kërkuar ngritje të pagave në kohën kur kompanitë si ato të energjisë elektrike janë duke fituar miliona euro.

Sindikatat kanë kërkuar ngrirjen e çmimeve të energjisë dhe ngritjen e taksës mbi kapitalin. Policia ka vlerësuar se në këtë protestë morën pjesë 16 mijë e 500 persona.

Në muajt e fundit, me protesta të tilla janë përballur edhe kryeqytetet e tjera evropiane.