Botë

Bota po djeg qymyr më shumë se çdo herë tjetër, thotë raporti

Descriptive Text

Kriza globale e energjisë e shkaktuar nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka rritur kërkesën globale për qymyr në një nivel rekord në vitin 2022, tha të premten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Kërkesa për qymyr, që është produkti më ndotës nga të gjitha lëndët djegëse fosile, është rritur me 1.2 për qind dhe pritet të arrijë në 8 miliardë tonë metrikë për herë të parë këtë vit, tha IEA në edicionin e fundit të raportit të saj vjetor të qymyrit.

Ky rekord vjen vetëm një vit pasi vendet ranë dakord të heqin dorë nga përdorimi i qymyrit në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Glasgow, raportoi CNN-i të premten.

Rritja është kryesisht për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të gazit natyror dhe karburanteve të tjera, gjë që ka detyruar disa vende dhe rajone t'i drejtohen qymyrit si një alternativë më e lirë.

Qymyri është burimi më i madh në botë për prodhimin e energjisë elektrike dhe prodhimin e çelikut dhe çimentos. Por është gjithashtu kontribuesi më i madh në krizën klimatike, duke përbërë rreth 40 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë nga përdorimi i karburanteve fosile.

“Evropa dhe Bashkimi Evropian në veçanti, ka qenë një nga rajonet më të goditura nga kriza energjetike, duke pasur parasysh varësinë e saj në furnizimet e gazit natyror nga tubacionet ruse”, thuhet në raport.

Për të mbajtur dritat ndezur, Evropa iu kthye qymyrit – madje duke ndezur sërish disa nga termocentralet e saj të mbyllura së fundmi, raportoi CNN-i.

Pieter de Pous, i cili drejton Programin e Tranzicionit të Karburantit Fosil në E3G, një institut kërkimor për klimën, tha për CNN-in se rritja e përdorimit të qymyrit ishte një kthesë, që vjen "në fund të një dekade që pa përdorimin e qymyrit të përgjysmuar".

IEA tha se ndërsa rritja e konsumit të qymyrit ishte relativisht modeste në shumicën e vendeve evropiane, Gjermania pa një ndryshim në një "shkallë të konsiderueshme".

Kjo e ka vënë BE-në, e cila e ka pozicionuar veten si një lider global të klimës, në një pozitë të pakëndshme, me disa që kritikojnë vendet evropiane si Gjermania se ndjekin agjendën e gjelbër vetëm kur u përshtatet atyre.

IEA pret që përdorimi i qymyrit në BE të bjerë në 29 për qind deri në vitin 2025 krahasuar me vitin 2022, tha de Pous.

Kina, e cila përbën më shumë se gjysmën e konsumit global të qymyrit, rriti gjithashtu përdorimin e saj të qymyrit në fillim të këtij viti, kur vala e nxehtësisë dhe thatësira më e keqe në gjashtë dekada goditi prodhimin e saj të hidrocentralit.