Botë

Danimarka heq një festë publike për ta rritur buxhetin për mbrojtje

Qeveria e re e koalicionit të Danimarkës do ta anulojë një festë publike për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Kjo është një nga masat e para të rënë dakord nga koalicioni i pazakontë midis partive të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë - i pari që nga vitet 1970 në Danimarkë, raportoi BBC-ja të enjten.

Partia Social Demokrate e qendrës së majtë, Partia Liberale e qendrës së djathtë dhe partia e moderuar e qendrës janë të gjitha pjesë e qeverisë së re. Kryeministrja në detyrë socialdemokrate, Mette Frederiksen do të vazhdojë punën.

Një nga prioritetet e koalicionit është arritja e objektivit të NATO-s prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor për shpenzimet e mbrojtjes. Çështja e mbrojtjes ka qenë në ballë të debatit politik danez që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, në fillim të këtij viti.

Për këtë qëllim, Frederiksen ka njoftuar se Qeveria do ta anulojë një nga 11 festat publike të Danimarkës, me shpresën për të rritur produktivitetin dhe aktivitetin ekonomik.

“Sëpata” pritet të bjerë në festën e njohur si “Dita e Madhe e Lutjes", e cila u prezantua si festë publike në vitin 1686.

Mirëpo, masa ka ngjallur disa kritika, duke filluar me komunitetin fetar të Danimarkës.

Presidentja e shoqatës së klerikëve, Pernille Vigso Bagge, i tha gazetës daneze “Berlingske” se ishte "e pikëlluar nga “Humbja e festës”.

Pronarët e bizneseve janë shprehur gjithashtu të shqetësuar. Bukëpjekësi Iver Hansen ka thënë për TV SYD se dita e festës ishte një burim i madh të ardhurave për biznesin e tij dhe se ai do të humbiste rreth 2,640-3,970 euro në të ardhura nëse pushimi anulohej.