Botë

Rusia vazhdon të përdorë dronët iranianë në Ukrainë

Rusia me dronët vetëvrasës nga Irani ka dëmtuar pesë ndërtesa në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ani pse forcat mbrojtëse të Ukrainës kanë asgjësuar shumë dronë të tjerë. Të mërkurën nuk është raportuar për të vdekur nga këto sulme me dronë.

Nga sulmi me dronë është shkatërruar çatia e një ndërtese administrative në periferi të Kievit. Si shenjë e mbrojtjes, ekipet e pastrimit në Kiev me shpejtësi kanë hequr rrënojat. Në tre muajt e fundit qytetet më të mëdha të Ukrainës janë bombarduar dhe cak i sulmeve ruse ishte infrastruktura energjetike para stinës së dimrit me qëllim që ukrainasit të mbeten pa ujë dhe pa ngrohje.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se “terroristët” rusë kanë përdorur 13 dronë iranianë dhe që të gjithë janë asgjësuar nga forcat ajrore të Ukrainës. Dronët e tillë janë pjesë e fuqisë ruse së bashku me mortajat, artilerinë dhe raketat. Bombardimi në Kiev ka qenë i kufizuar për shkak të mbrojtjes ajrore, teksa ka lënë të vdekur nëpër qytetet e tjera ukrainase.