Botë

Tregtari rus i armëve, i liruar nga SHBA-ja, i bashkohet partisë ultranacionaliste

Descriptive Text

Tregtari rus i armëve Viktor Bout – i njohur me nofkën “tregtari i vdekjes” – i është bashkuar partisë ultranacionaliste pro-Kremlin, LDPR, raporton BBC.

Vendimi i Boutit vjen dy ditë pasi ai është liruar në një shkëmbim të burgosurve. SHBA-ja liroi Boutin në shkëmbim për basketbollisten amerikane Brittney Griner (32).

Në një video të postuar online, lideri i LDPR-së, Leonid Slutsky, falënderoi Boutin 55-vjeçar që është bërë anëtar i “partisë më të mirë politike në Rusinë e sotme”.

Bout shihet duke qëndruar përkrah Slutskyt.

Slutsky tha se Bout ka kaluar shumë vjet në burg, porse tash është rikthyer.

“Ne do të rikthejmë të gjithë ata që janë në telashe jashtë mëmëdheut”, ka thënë Slutsky.

Bout ka thënë se nuk planifikon të garojë në zgjedhje.