Botë

Zelensky: Ende s’po arrijmë ta mbrojmë qiellin, katër ukrainas u vranë

Presidenti i Ukrainës, Volodoymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se mëngjesin e së martës u vranë katër ukrainas, derisa 70 raketa ruse u shkatërruan nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Siç raportoi BBC-ja, Zelensky u shpreh se trupat ukrainase ende s’po arrijnë ta mbulojnë tërësisht qiellin.

“Fatkeqësisht, ende s’po mbërrijmë ta sigurojmë komplet qiellin, pati disa sulme. Pati viktima. Lista e të vrarëve këtë ditë nga sulmet ruse shkoi në katër persona. Ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë”, deklaroi ai.

Autoritetet ukrainase njoftuan se 40 për qind e Kievit gjenden në terr për shkak të sulmeve ruse mbi centralet e energjisë elektrike.

Granatimet mbi centralet dhe mbi infrastrukturën civile po vazhdojnë edhe më tej, ndërsa sulmet me dronët iranianë kamikazë u tha të hënën se janë ndaluar, për shkak të motit të ftohtë.