Botë

Orbani do ta bllokojë ndihmën e re financiare të BE-së për Ukrainën

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë të premten se do të vazhdojë të kundërshtojë planin e Bashkimit Evropian për t'i ofruar Ukrainës një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh, një pozicion që premton tensione ndërsa blloku dhe qeveria hungareze vazhdojnë mospajtimet mbi standardet demokratike.

Në një intervistë në radion shtetërore, Orban pranoi se Ukraina kishte nevojë për ndihmë për të paguar funksionimin e shërbimeve bazë, por theksoi se do të bllokonte planin e përbashkët të huamarrjes së BE-së për të financuar paketën.

"Pyetja është se si të ndihmojmë Ukrainën. Një propozim thotë se ne duhet të përdorim buxhetet e vendeve anëtare të BE-së për të marrë së bashku kredi të reja dhe për t'i dhënë ato para Ukrainës. Ne nuk jemi në favor të kësaj, sepse ne nuk duam që Bashkimi Evropiani të bëhet një komunitet shtetesh me borxhe në vend të një komuniteti shtetesh anëtare bashkëpunuese”, ka thënë Orban.

Orban propozoi që secili prej 27 vendeve anëtare të BE-së të tërheqin para nga buxhetet e tyre për të ofruar ndihmë për Ukrainën nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe.

“Ne nuk do të pranojmë një plan tjetër, nuk do të pajtohemi me të, pa ne nuk do të krijohet”, shtoi ai.

Orban më parë tregoi se Hungaria do të ishte e gatshme t'i siguronte Ukrainës 152-178 milionë dollarë nga buxheti i saj në kushte dypalëshe - një shumë që ai theksoi se nuk do të dëmtonte në mënyrë thelbësore interesat kombëtare të Hungarisë.

Paketa e ndihmës për Ukrainën është një nga prioritetet kryesore për BE-në që janë bllokuar ose vonuar nga qeveria hungareze muajt e fundit. Disa zyrtarë në Bruksel dyshojnë se Budapesti po përdor veton ndaj paketës së ndihmës, si dhe kundërshtimin ndaj nënshkrimit të BE-së për një normë minimale të taksës së korporatave, si mjet për t'i bërë presion bllokut që të lirojë miliarda në fondet që i ka mbajtur Hungarisë për shqetësimet për sundimin e ligjit dhe korrupsionin.

Hungaria shtyu ratifikimin e ofertave të Suedisë dhe Finlandës për t'u anëtarësuar në NATO. Është i vetmi anëtar i aleancës ushtarake prej 30 anëtarësh përveç Turqisë që nuk votoi për miratim.