Botë

Katër të vdekur nga një sulm me armë zjarri në Rusi

Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se një person i armatosur ka gjuajtur me armë zjarri në një qytet jugor të enjten, duke lënë të vdekur tre persona e më pas duke vrarë edhe veten.

Dhuna ndodhi në qytetin Krymsk në rajonin Krasnodar, rreth 1,200 kilometra në jug të Moskës, raportoi Associated Press të enjten.

Alexander Runov, një zëdhënës i ministrisë së Brendshme rajonale, tha se personi i armatosur qëlloi dy punonjës në një qendër mjekësore lokale dhe më pas doli jashtë, duke qëlluar mbi kalimtarët dhe duke vrarë një prej tyre, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur.

Runov u citua të thoshte se pas të shtënave mund të qëndronin tensionet rreth divorcit të sulmuesit.