Botë

Rusia njofton se cilave vende nuk do t'u ofrojë më naftë dhe gaz

Kremlini ka thënë të enjten se Rusia nuk ka plane të shpërndajë naftë në vendet që mbështesin kufirin mbi çmimet e naftës ruse, shkruan CNN.

"Ndikimi i përcaktimit të kufirit të sipërm të çmimit të naftës dhe gazit në treg është ende i vështirë për t'u vlerësuar, tani për tani po nisemi nga fakti që nuk do të shpërndajmë gaz dhe naftë, por duhet ta analizojmë më tej", ka thënë Dmitry Peskov në konferencën e përditshme.

“Vendimi përfundimtar do ta marrim pasi të analizojmë të gjitha shifrat. Për momentin, ne i qëndrojmë qëndrimit të presidentit Vladimir Putin se nuk do të furnizojmë me naftë dhe gaz vendet që do të mbështesin kufizimin”, shtoi ai.

Vendet e BE-së po zhvillojnë negociata për vendosjen e kufirit të çmimit të naftës ruse. Grupi G7 duhet të shpallë sot kufirin e çmimit për eksportin e naftës ruse, i cili do të zbatohet më 5 dhjetor.

Qëllimi është të zvogëlohen të ardhurat e Rusisë nga nafta për të financuar makineritë e luftës.