Botë

Studiuesit zbulojnë se me çfarë ushqeheshin gjallesat 550 milionë vjeçare

Descriptive Text

Zakonet e lashta të ushqimit të gjallesave më të vjetra të Tokës, të cilat kanë jetuar më shumë se 550 milionë vjet më parë, janë zbuluar nga një ekip ndërkombëtar studiuesish.

Shkencëtarët që kanë analizuar fosilet e lashta të biotës “Ediacaran” – forma jete që ekzistonin midis 538.8 dhe 635 milionë vjet më parë – thonë se ato përfaqësojnë provat më të hershme të gjallesave që janë ushqyer.

Fosilet e një krijese të ngjashme e njohur si Kimberella përmbanin komponime që sugjeronin se hante alga dhe baktere nga fundi i oqeanit - një shenjë se gjallesa kishte një gojë dhe një zorrë dhe e trette ushqimin në të njëjtën mënyrë që disa jovertebrorë modernë bëjnë, raportoi The Guardian.

Bashkautori i studimit, Jochen Brocks, i Universitetit Kombëtar Australian, tha se fosilet nga periudha e “Ediacaranit” ishin "disa nga fosilet më të rëndësishme në evolucion, sepse është hera e parë që jeta u bë e madhe. Ato janë fosilet më të vjetra të mëdha që mund të shihni me sytë tuaj”.

Kimberella, një krijesë simetrike që gjithashtu mund të lëvizte përreth, ishte një kafshë e avancuar për kohën e saj, sugjerojnë studiuesit.

"Të kesh një zorrë është shumë moderne”, tha Brocks, duke e krahasuar atë me kafshët më primitive.

Duke analizuar fosilet e një lloji tjetër kafshe, Dickinsonia, ekipi zbuloi se kjo krijesë e dytë ishte më pak e avancuar, pa gojë apo zorrë. Ajo absorbonte ushqimin përmes lëkurës.

Fosilet ishin mbledhur më 2018 nga autori kryesor i studimit, Ilya Bobrovskiy, në veri të Rusisë.