Botë

Ukrainasit po i pret terri dhe i ftohti shumë i madh, shkaku i Rusisë

Terri ne Ukraine

Operatori shtetëror i rrjetit ukrainas, Ukrenergo raportoi se 40% e ukrainasve po përjetonin vështirësi, për shkak të dëmtimit të të paktën 15 qendrave kryesore të energjisë në të gjithë vendin. Duke paralajmëruar se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të zgjasin diku nga disa orë deri në disa ditë, rrjeti ka njoftuar se “rezistenca dhe guximi janë ato që na duhen këtë dimër”.

Kur nuk ka rrymë, siç ndodh shpesh, apartamenti i lartë me pamje nga kryeqyteti i shkatërruar nga lufta e Ukrainës duket si një kurth vdekjeje. Pa drita, pa ujë, asnjë mënyrë për të gatuar ushqim. Ekziston edhe rreziku i mosarratisjes në kohë nga kati i 21-të nëse godet një raketë ruse. Edhe nëse elektriciteti kthehet, nuk është se do të zgjasë shumë.

“Sulmet ruse po e fusin Ukrainën në Epokën e Gurit”, thotë Anastasia Pyrozhenko. Në një periudhë të fundit 24-orëshe, banesa e saj në ndërtesën 26-katëshe kishte energji vetëm për gjysmë ore. Ajo thotë se “kushtet e jetesës ushtarake” e kanë dëbuar atë dhe bashkëshortin e saj nga banesa e tyre.

“Ndërtesa jonë është më e larta në zonë dhe është objektiv i mrekullueshëm për raketat ruse, kështu që ne u larguam nga apartamenti për në shtëpinë e prindërve tanë dhe po përgatitemi për dimrin më të keq të jetës sonë”, është shprehur 25-vjeçarja.

Situata në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe qytete të tjera të mëdha është përkeqësuar në mënyrë drastike pas sulmit më të madh me raketa në rrjetin elektrik të vendit. Operatori shtetëror i rrjetit ukrainas, Ukrenergo raportoi se 40% e ukrainasve po përjetonin vështirësi, për shkak të dëmtimit të të paktën 15 qendrave kryesore të energjisë në të gjithë vendin.

Duke paralajmëruar se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të zgjasin diku nga disa orë deri në disa ditë, rrjeti ka njoftuar se “rezistenca dhe guximi janë ato që na duhen këtë dimër”.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, gjithashtu theksoi nevojën për të qenë gati përballë një ndërprerjeje të mundshme: “Skenari më i keq. Në fakt, nuk më pëlqen të flas për këtë, por duhet të jem i përgatitur nëse kemi ndërprerje të energjisë elektrike, pa ujë, pa ngrohje, pa shërbime dhe pa komunikim,”, ka theksuar Klitschko për AP-në.

Ukrenergo ka thënë në një deklaratë se “mijëra kilometra linja kryesore të tensionit të lartë nuk po funksionojnë”, duke prekur të gjithë vendin.

Ai ka publikuar një foto të një stacioni transformatori që u shkatërrua nga një raketë ruse, duke lënë rreth 400 mijë njerëz pa energji. Sipas raportit, “tashmë ka dhjetëra transformatorë të tillë në sistemin elektroenergjetik. Kjo pajisje nuk mund të zëvendësohet shpejt”.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka theksuar pas sulmeve të javës së kaluar se më shumë se 10 milionë ukrainas mbetën pa energji elektrike.

“Rivendosja e rrjeteve dhe aftësive teknike të furnizimit, çminimi i linjave të transmetimit të energjisë, riparimet - gjithçka vazhdon gjatë gjithë kohës”, ka njoftuar Zelenskyy në fjalimin e tij të natës.

Ndërprerjet ishin planifikuar të dielën në mbrëmje në 15 rajone dhe në qytetin e Kievit, tha ai. Ukrenergo tha se do të ketë ndërprerje të planifikuara në çdo rajon të hënën.

Një i ftohtë i fortë dhe bora e parë e kanë komplikuar ndjeshëm situatën në Kiev, ku temperaturat janë shpesh nën zero në muajt e dimrit. I ftohti i detyron njerëzit t’i ndezin ngrohësit e tyre, gjë që rrit në mënyrë drastike ngarkesën në rrjet dhe i bën ndërprerjet e energjisë më të gjata.

Përktheu: Blerta Haxhiu