Botë

Turqia kryen sulme ajrore kundër militantëve kurdë në Siri dhe Irak

Descriptive Text

Ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar të dielën në mëngjes se ka kryer sulme ajrore mbi bazat e jashtëligjshme të militantëve kurdë në veri të Sirisë dhe Irakut verior, të cilat sipas kësaj ministrie janë përdorur për të kryer sulme ndaj Turqisë, raportoi Reuters.

Sulmet kishin në shënjestër bazat e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe milicisë kurde siriane YPG, për të cilën Turqia vlerëson se është krah i PKK-së, është thënë më tej në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes e Turqisë.

Turqia ka njoftuar të martën se planifikon të ndjekë objektiva në Sirinë veriore pasi të përfundojë një operacion ndërkufitar kundër militantëve të PKK-së në Irak, pas një shpërthimi vdekjeprurës fundjavën e kaluar në Stamboll.

Qeveria ka fajësuar militantët kurdë për shpërthimin në rrugën Istiklal të Stambollit më 13 nëntor, ku u vranë gjashtë persona dhe mbi 80 të tjerë mbetën të plagosur.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin në sheshin e Taksimit, ndërsa PKK-ja dhe SDF-ja kanë mohuar përfshirjen.

Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët kanë thënë të shtunën vonë se avionët turq bombarduan dy fshatra të populluar me njerëz të zhvendosur brenda në Sirinë veriore.