Botë

Ukrainasve u kërkohet ta braktisin shtetin për të kursyer rrymën

Me temperaturat nën zero në disa pjesë të Ukrainës, janë ngritur shqetësime se miliona njerëz do të mbesin pa energji elektrike dhe pa ngrohje gjatë krejt dimrit. Deri më tani, reduktimet energjetike kanë qenë të kufizuara në disa orë, por ashpërsimi i bombardimeve ruse mund të shpjerë në reduktime më të ashpra të rrymës

Shefi i njërës prej kompanive më të mëdha private të energjisë në Ukrainë ka deklaruar se qytetarët duhet të mendojnë ta lëshojnë shtetin në mënyrë që të reduktohet kërkesa për rrymë.

“Nëse ata mund të gjejnë ndonjë vend tjetër për të qëndruar për tre apo katër muajt e ardhshëm, do të ishte ndihmë e madhe për sistemin”, ka thënë për BBC-në shefi ekzekutiv.

Sulmet ruse kanë shkatërruar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës. Miliona njerëz atje kanë mbetur pa rrymë, në kohën kur temperaturat po bien vazhdimisht.

Ndërprerjet e energjisë, të planifikuara dhe të paplanifikuara, janë bërë të zakonshme në shumë pjesë të Ukrainës, pasi Rusia synon valë të rregullta sulmesh me raketa në pjesë të infrastrukturës energjetike.

Në fillim të kësaj jave, zëdhënësi i Kremlini, Dmitry Peskov, sugjeroi se sulmet ishin një "pasojë" e refuzimit të Ukrainës për të negociuar me Rusinë.

Disa liderë perëndimorë kanë thënë se synimi i infrastrukturës civile është një krim lufte.

Timchenko, kompania e të cilit furnizon më shumë se një të katërtën e energjisë së Ukrainës, thotë se ulja e konsumit të energjisë elektrike është çelësi për ta mbajtur në funksion sistemin energjetik.

Qeveria u ka kërkuar njerëzve që të kufizojnë përdorimin e pajisjeve shtëpiake, si furrat dhe makinat larëse.

“Por sistemi energjetik i dëmtuar ende nuk është në gjendje të prodhojë energji të mjaftueshme për të përmbushur nevojat aktuale, kështu që çdo mënyrë për të reduktuar përdorimin, duke përfshirë largimin nga vendi - duhet të shihet si ndihmë e Ukrainës për të fituar luftën kundër Rusisë”, ka shpjeguar Timchenko.

"Nëse konsumoni më pak, atëherë spitalet me ushtarë të plagosur do të kenë furnizim të garantuar me energji elektrike. Kështu mund të shpjegohet se duke konsumuar më pak ose duke u larguar, kontribuojmë edhe për njerëzit e tjerë”, ka shtuar ai.

Sulmet ruse mbi infrastrukturën ukrainase janë shpeshtuar pas serisë së humbjeve në front të luftës, përfshirë kundërofensivën e suksesshme të Ukrainës në rajonin e Kharkivit dhe avancimeve në jug të shtetit që përfunduan me kthimin e kontrollit në Kherson.

Me temperaturat nën zero në disa pjesë të Ukrainës, janë ngritur shqetësimet se miliona njerëz do të mbesin pa energji elektrike dhe pa ngrohje gjatë krejt dimrit. Deri më tani, reduktimet energjetike kanë qenë të kufizuara në disa orë, por ashpërsimi i bombardimeve ruse mund të shpjerë në reduktime më të ashpra të rrymës. Riparimi i infrastrukturës së dëmtuar po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

“Fatkeqësisht kemi mbetur pa pajisje dhe pjesë të nevojshme. Për këtë shkak u bëj thirrje partnerëve dhe kompanive që prodhojnë pjesë që të na ndihmojnë me furnizim të menjëhershëm”, ka thënë Timchenko.

Lidhjet historike të Rusisë me Ukrainën - duke përfshirë zhvillimin e sistemit të saj energjetik - po dëshmojnë gjithashtu një problem.

“Ata ishin kolegë, tani janë armiq”, ka theksuar Imchenko. “Ata ua sjellin gjithë këtë njohuri forcave ushtarake ruse, i edukojnë ato, bëjnë objektiva shumë konkrete, njohin pjesë të mëdha të rrjetit tonë apo të termocentraleve”.

Pavarësisht vështirësive, inxhinierët ukrainas vazhdojnë të punojnë në disa nga pjesët më të rrezikshme të vendit, duke rrezikuar jetën e tyre për të rilidhur qytetet dhe fshatrat me rrjetin.

Të shtunën herët, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka njoftuar se stacioni hekurudhor në Kherson ishte ndërtesa e parë në qytet që kishte energji elektrike.