Botë

Kush është Jack Smith, kryeprokurori që la hetimet për krimet e luftës që ta hetojë Trumpin

Jack Smith, këshilltari special i sapoemëruar i Departamentit të Drejtësisë, do të vijë në detyrë për hetimin e ish-presidentit amerikan, Donald J. Trump, me një përvojë të pasur: Ai ka ndjekur çështjet penale për gati tri dekada.

Smith filloi karrierën në vitet 1990 si prokuror në zyrën e Prokurorit të qarkut të Manhattanit dhe shpejt u zhvendos në një punë të ngjashme në zyrën e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Brooklyn. Atje, ai shërbeu në një sërë postesh mbikëqyrëse, sipas biografisë së tij në Departamentin e Drejtësisë, dhe punoi në një sërë çështjesh, shumë prej të cilave përfshinin korrupsionin publik.

Nga viti 2008 deri në vitin 2010, Smith ka punuar si koordinator hetimi në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Në atë rol, ai mbikëqyri hetimet e profilit të lartë të zyrtarëve të huaj qeveritarë dhe anëtarëve të milicisë të kërkuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, Smith shërbeu nga viti 2010 deri në vitin 2015 si shef i sektorit të integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë, i cili heton politikanë dhe figura të tjera publike mbi akuzat për korrupsion.

I diplomuar në Shkollën Juridike të Harvardit, Smith ka punuar gjithashtu në pozita të larta në zyrën e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Tennessees në Nashville.

Smith do të marrë rolin e këshilltarit special pasi u largua nga pozita e tij si prokuror special me qendër në Hagë për hetimin e krimeve të luftës. Ai do të qëndrojë në Holandë për disa kohë, sipas Departamentit të Drejtësisë, që të shërohet pas një aksidenti që ka pësuar së fundmi me biçikletë./ NYT