Botë

Orban: Sanksionet e BE-së kundër Rusisë një hap drejt luftës

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë të premten se sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë janë "një hap drejt luftës", duke intensifikuar kritikat kundër strategjisë së Brukselit, të cilën ai e konsideron "të rrezikshme", shkruan BBC.

"Kushdo që ndërhyn ekonomikisht në një konflikt ushtarak merr një pozicion", ka thënë Orban në një intervistë me një media afër qeverisë.

"Pak nga pak ne po rrëshqasim drejt luftës", paralajmëroi ai, duke shprehur shqetësimin për akumulimin e masave të miratuara për të sanksionuar ofensivën ruse në Ukrainë.

Orban kundërshton edhe propozimin e Komisionit Evropian për t'i dhënë Ukrainës ndihmë prej 18 miliardë eurosh në vitin 2023 në formën e kredive, interesat e të cilave do të shlyheshin nga vendet anëtare të BE-së.

"Hungaria nuk do të pranojë që anëtarët e BE-së të kontraktojnë së bashku hua për të ndihmuar Ukrainën", ka thënë ai në një konferencë, njoftoi agjencia MTI.

Ai preferon që të paguhet një shumë e vetme, e ndarë "drejtësisht" midis 27 vendeve anëtare.

Hungaria mund të japë deri në 170 milionë euro si pjesë e marrëveshjes dypalëshe me Kievin, shtoi ai.