Botë

Kufiri me gjemba mes Evropës dhe Rusisë

Kur marrëdhëniet me Bjellorusinë u përkeqësuan pasi presidenti i saj autoritar, Alexander Lukashenko, u shpall fitues i zgjedhjeve që konsideroheshin gjerësisht si të manipuluara, qeveria në Minsk dërgoi mijëra emigrantë përtej kufijve të BE-së në atë që Dodds e quajti “luftë hibride”. Si përgjigje, Polonia dhe Lituania ngritën mure përgjatë kufijve të tyre me Bjellorusinë

Kufiri i gjatë midis Finlandës dhe Rusisë kalon nëpër pyje të dendura dhe shënohet vetëm nga shtylla druri me gardhe të ulëta që synojnë të ndalojnë bagëtitë endacake. Së shpejti, një gardh më i fortë dhe më i lartë do të ngrihet në pjesë të kufirit.

Në fillim të këtij muaji, ushtarët polakë filluan të vendosnin mbështjellje me tela me gjemba në kufirin me Kaliningradin, enklavë ruse e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë. Kamerat dhe një sistem elektronik monitorimi do të vendosen gjithashtu në zonën që dikur ruhej vetëm nga patrulla të herëpashershme të rojeve kufitare.

Rënia e Murit të Berlinit më shumë se 30 vjet më parë simbolizonte shpresën për bashkëpunim me Moskën. Tani, lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë në një epokë të re konfrontimi në Evropë - dhe ngritjen e barrierave të reja prej çeliku, betoni dhe teli me gjemba. Megjithatë, këto po ndërtohen nga Perëndimi.

Image
Barrierat e reja ofrojnë pak mbrojtje nga raketat ose tanket. Në vend të kësaj, qeveritë presin që muret, gardhet dhe mbikëqyrja elektronike të ofrojnë kontroll më të mirë të kufijve të tyre

“Perdja e Hekurt është zhdukur, por ‘perdja me tela me gjemba’ tani për fat të keq po bëhet realitet për pjesën më të madhe të Evropës”, tha Klaus Dodds, profesor i gjeopolitikës në Royal Holloway, Universiteti i Londrës. “Optimizmi që kishim në Evropë pas vitit 1989 është zhdukur shumë tani”.

Frika dhe ndarja kanë zëvendësuar euforinë kur gjermanët kërcenin në majë të Murit të Berlinit dhe ndanin pjesë të murit të ngritur në vitin 1961 nga udhëheqësit komunistë. Ai shtrihej në 155 kilometra, duke rrethuar Berlinin Perëndimor deri në vitin 1989, kur autoritetet gjermanolindore hapën vendkalimet pas protestave masive. Brenda një viti, Gjermania Lindore dhe Perëndimore u ribashkuan.

Disa vende në Bashkimin Evropian filluan ndërtimin e gardheve kufitare si përgjigje ndaj më shumë se 1 milion refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë që hynë në Evropën Jugore nga Lindja e Mesme dhe Afrika vetëm në vitin 2015. Në vitin 2015 dhe 2016, Rusia çoi mijëra azilkërkues, gjithashtu kryesisht nga Lindja e Mesme, në pikat e kontrollit kufitar në Finlandën veriore.

“Lufta hibride”

Kur marrëdhëniet me Bjellorusinë u përkeqësuan pasi presidenti i saj autoritar Alexander Lukashenko u shpall fitues i zgjedhjeve që konsideroheshin gjerësisht si të manipuluara, qeveria në Minsk dërgoi mijëra emigrantë përtej kufijve të BE-së në atë që Dodds e quajti “luftë hibride”. Si përgjigje, Polonia dhe Lituania ngritën mure përgjatë kufijve të tyre me Bjellorusinë.

Image
Aktivistët e të drejtave të njeriut në Poloni kanë protestuar kundër murit prej pesë metrash e gjysmë prej çeliku të ngritur përgjatë 186 kilometrave të kufirit të saj me Bjellorusinë

Michal Baranowski, kreu i zyrës në Varshavë të Institutit Gjerman Marshal Fund, tha se shumica e analistëve të sigurisë besojnë se Bjellorusia koordinoi përpjekjet e saj me Moskën, “në fakt duke destabilizuar kufijtë tanë përpara luftës në Ukrainë”.

Nga frika e një krize tjetër migracioni si përgjigje ndaj sanksioneve kundër Moskës për shkak të luftës gati nëntëmujore në Ukrainë, liderët evropianë kanë filluar të forcojnë kufijtë e tyre.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, njoftoi planet për të fortifikuar pjesë të kufirit prej 1.340 kilometrash të vendit të saj – më i gjati me çdo anëtar të BE-së. Moska ka kërcënuar me “pasoja serioze ushtarako-politike” kundër Finlandës dhe Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n dhe Marin tha se fortifikimet do të ndihmonin në mbrojtjen e kombit kundër "kërcënimit hibrid" të migrimit të mundshëm në shkallë të gjerë dhe të parregullt të orkestruar nga Kremlini.

Forcimi i sigurisë

Barrierat e reja ofrojnë pak mbrojtje nga raketat ose tanket. Në vend të kësaj, qeveritë presin që muret, gardhet dhe mbikëqyrja elektronike të ofrojnë kontroll më të mirë të kufijve të tyre dhe të ndalojnë rritjet e mëdha të emigrantëve.

Dodds thotë se Rusia e ka armatosur emigracionin për disa vite pasi është përfshirë në një “konflikt civilizimi me fqinjët e saj evropianë”.

Rusia bombardoi dhe ngacmoi popullsinë e Sirisë në vitin 2015 “në një përpjekje të qëllimshme për të krijuar një krizë humanitare”, tha ai.

“Mendoj se një nga vështirësitë që ndonjëherë kemi jashtë Rusisë është të vlerësojmë se sa cinike, sa llogaritëse, sa e qëllimshme është një pjesë e kësaj pune”, tha Dodds, autor i “The New Border Wars: The Conflicts that Will Define Our Future”.

Përdorimi i emigrantëve nga Rusia për të krijuar mosmarrëveshje sociale në vende si Polonia, Lituania dhe Letonia ka bërë që ato qeveri të mos u ofrojnë atyre mundësinë për të aplikuar për azil dhe t'u refuzojnë hyrjen në shumë raste – siç ka ndodhur në vende të tjera evropiane si Greqia dhe Hungaria.

Ata që janë shtyrë në Bjellorusi kanë qenë subjekt i abuzimit nga rojet bjelloruse, të cilët fillimisht i ndihmuan të kalonin kufijtë, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.

Kundër mureve

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Poloni kanë protestuar kundër murit prej pesë metrash e gjysmë prej çeliku të ngritur përgjatë 186 kilometrave të kufirit të saj me Bjellorusinë, duke argumentuar se ai mban jashtë njerëzit më të dobët, por jo më të vendosurit.

Anna Alboth nga Grupi i të Drejtave të Minoritetit ka kaluar muaj në atë kufi dhe tha se ka parë njerëz që përdorin shkallët për të ngjitur gardhin ose tunelin poshtë tij.

Që kur muri përfundoi verën e kaluar, rreth 1.800 emigrantë që arritën brenda Polonisë dhe u gjendën në pyje të dëshpëruar për ushqim, ujë ose ilaçe, e kanë quajtur Grupa Granica, një organizatë ombrellë e bashkëthemeluar nga Alboth.

“Është një territor shumë i vështirë, në lindje të Polonisë”, tha ajo. “Ka shumë kafshë. Unë pata një situatë ku shkova në një grup dhe shkela njerëz që ishin gjysmë të vetëdijshëm. Jam i sigurt se ka pasur shumë njerëz të tillë”.

Ajo tha se kohët e fundit takoi grupe grash nga Sudani që dukej se ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe studente të mjekësisë nga Afrika që ishin në vitin e pestë të studimeve në Rusi.

“Ata thanë ‘Rusia po shpërbëhet dhe ne duam të jetojmë në një vend normal’, tha Alboth.

Zyrtari i sigurisë së qeverisë polake, Stanislaw Zaryn, pranoi se muri kufitar nuk i ndalon të gjithë që kërkojnë të kalojnë ilegalisht, por shtoi: “Ai i lejon forcat tona të veprojnë me shpejtësi dhe më efikase, pa pasur nevojë të vendosin aq fuqi punëtore si më parë”.

Si ai mur ashtu edhe gardhi me Kaliningradin "përcjellin një mesazh të fortë për Minskun dhe Moskën se Polonia e merr jashtëzakonisht seriozisht sigurinë dhe integritetin e kufijve të saj", tha Zaryn. "Unë besoj se Bjellorusia dhe Rusia do të mendojnë dy herë përpara se të ndjekin përsëri armëtimin e migracionit".

Dodds tha se ai e kupton impulsin për të ndërtuar mure, por paralajmëron se ato rrallë funksionojnë siç synohet, shpesh duke i shtyrë emigrantët në udhëtime më të rrezikshme.

Ndërsa kufijtë e militarizuar mund të jenë të popullarizuar, ata gjithashtu priren të dehumanizojnë migrantët e dëshpëruar, të cilët shpesh janë të gatshëm të rrezikojnë në kalimet kufitare për një jetë më të mirë.

Ndërtimi i mureve dhe gardheve të tilla "thith ndjeshmëri dhe dhembshuri nga shoqëritë tona", tha Dodds.

Përktheu: Forca Jashari