Botë

Raketat ruse bien në Poloni, kishin cak rrjetin energjetik të Ukrainës

Descriptive Text

Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën të martën pasdite pasi një predhë goditi një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, fshat polak pranë kufirit me Ukrainën. Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Shteti raportoi për ndërprerje masive të energjisë, pasi raketat rrëzuan linjën kryesore të energjisë që furnizon shtetin me energji elektrike

Një breshëri raketash ruse që kishin për cak rrjetin elektrik ukrainas kanë rënë në shtetin fqinj të Ukrainës, Poloni, duke lënë të vdekur së paku dy persona. Raketat kanë goditur Poloninë, anëtare të NATO-s, dhe kanë ndërprerë energjinë elektrike në pjesën më të madhe të Moldavisë.

Kjo ishte breshëria më e madhe e raketave të lëshuara nga Rusia që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, dy personat kanë mbetur të vdekur në Poloni. Kjo ka shënuar herën e parë në luftë që raketat ruse bien mbi një shtet të NATO-s.

Zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller, nuk e konfirmoi menjëherë informacionin nga zyrtari i lartë i Inteligjencës amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të situatës. Por Mueller tha se liderët e lartë po mbanin një takim urgjent për shkak të një “situate krize”.

Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën të martën pasdite pasi një predhë goditi një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Shteti raportoi për ndërprerje masive të energjisë pasi raketat rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël, tha një zyrtar.

Zelensky tha se Rusia gjuajti të paktën 85 raketa, shumica e tyre synonin objektet energjetike të vendit dhe errësuan shumë qytete.

“Ne po punojmë, do të rivendosim gjithçka. Ne do të mbijetojmë gjithçka”, u zotua presidenti ukrainas. Ministri i tij i Energjisë tha se sulmi ishte bombardimi "më masiv" i objekteve të energjisë në pushtimin rus gati 9-mujor, duke goditur si sistemet e prodhimit ashtu edhe të transmetimit të energjisë.

Ministri Herman Haluschenko i përshkroi sulmet me raketa si "një tjetër përpjekje për hakmarrje terroriste" pas pengesave ushtarake dhe diplomatike për Kremlinin. Ai akuzoi Rusinë se "po përpiqet të shkaktojë dëme maksimale në sistemin tonë energjetik në prag të dimrit".

Sulmi ajror, i cili rezultoi në të paktën një vdekje në një ndërtesë banimi në kryeqytetin, Kiev, pasoi pas disa ditë euforie në Ukrainë të shkaktuara nga një prej sukseseve më të mëdha ushtarake të saj – rimarrja javën e kaluar të qytetit jugor të Khersonit.

Rrjeti i energjisë tashmë ishte goditur nga sulmet e mëparshme që shkatërruan rreth 40% të infrastrukturës energjetike të vendit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka komentuar tërheqjen nga Khersoni që kur trupat e tij u tërhoqën përballë një ofensive ukrainase. Por shkalla mahnitëse e sulmeve të së martës foli shumë dhe la të kuptohet për pakënaqësi në Kremlin.

Duke goditur objektivat në orët e vona të pasdites, jo shumë kohë përpara se të binte muzgu, ushtria ruse i detyroi punonjësit e shpëtimit të punonin në errësirë dhe u dha ekipeve të riparimit kohë të pakët për të vlerësuar dëmet gjatë ditës.