Botë

BE-ja i pagoi Rusisë të paktën tri herë më shumë se ndihma financiare që i dërgoi Ukrainës

Descriptive Text

Pas pushtimit rus të Ukrainës, mediat shpesh paralajmëruan se politika e Bashkimit Evropian ishte të paktën e paqartë dhe madje hipokrite, sepse, ndërsa BE-ja mbështeti verbalisht Ukrainën, Brukseli në fakt e ndihmoi Rusinë financiarisht duke blerë shumë energji ruse. Llogaritjet e fundit tregojnë se që nga fundi i shkurtit, BE-ja i ka paguar Federatës Ruse për naftë, gaz dhe qymyr të paktën tre herë më shumë se ndihma financiare që i dërgoi Ukrainës, shkruan Jutarnji.

Nga të dhënat e përditësuara nga Instituti për Ekonominë Botërore nga Kieli i Gjermanisë, rezulton se nga shkurti deri në gusht të këtij viti, vendet anëtare blenë naftë, gaz dhe qymyr nga Rusia për të cilat paguan 103.6 miliardë euro dhe deri në tetor, shtetet dhe institucionet e BE-së kanë ndarë gjithsej 29.2 miliardë euro për ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën.

Gjithsesi, mbështetja totale financiare e Perëndimit për Ukrainën deri më tani arrin në 93.8 miliardë euro, por 60 për qind e kësaj shume mbulohet nga Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja i ka dhënë ose do t'i japë Ukrainës më shumë se dy të tretat e armëve të saj, kurse vendet evropiane vetëm një të katërtën.

Në të njëjtën kohë, shumë nga ato që BE-ja i premtoi Ukrainës arritën me shumë vonesë. "Duket se vendet evropiane po marrin gjithnjë e më pak angazhime të reja që nga vera", paralajmëroi Christoph Trebesch , drejtor i qendrës kërkimore të Institutit Kiel.

Kështu, nga data 4 gusht deri më 3 tetor, SHBA-ja rriti shifrën në gati 12 miliardë euro, ndërkohë që vendet dhe institucionet e BE-së i rritën detyrimet e tyre me vetëm rreth 1.4 miliardë euro në të njëjtën kohë. "Qeveria e SHBA-së është partnere shumë më e besueshme për Ukrainën sesa vendet e BE-së - ato nuk e kanë paguar paketën e ndihmës financiare të premtuar në prill", thotë Trebesch.

Komisioni Evropian premtoi javën e ardhshme të paraqesë një plan për ndihmë financiare për Ukrainën për vitin 2023 në shumën 18 miliardë euro, por edhe kjo shumë nuk do ta afrojë BE-në në eliminimin e pabarazisë në mbështetje për Kievin dhe blerjen e produkteve energjetike nga Rusia. Në fund të fundit, kjo paketë financiare është gjithashtu në pikëpyetje sepse Hungaria nuk do të mbështesë përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Ukrainën me fondet e grumbulluara bashkërisht.

Nga ana tjetër, Evropa thjesht nuk kishte askund, përveç Rusisë, për të vazhduar marrjen e sasive të nevojshme të naftës dhe gazit, dhe më pas çmimet e energjisë dhe inflacioni në Eurozonë u rritën pikërisht për shkak se Bashkimi Evropian njoftoi refuzimin e lëndëve të para ruse. Embargoja e shpallur e BE-së ndaj 90% të naftës ruse çoi kryesisht në një rritje të çmimeve të energjisë, falë të cilave Rusia ishte në gjendje të kompensonte rënien e eksporteve. Tani fitojnë mirë, megjithëse eksportojnë më pak.

Përveç kësaj, janë vetëm disa vende të Bashkimit Evropian që e marrin seriozisht rrezikun e agresionit rus dhe janë të gatshëm të rishpërndajnë një pjesë të konsiderueshme të kostove të tyre në favor të Ukrainës. Pjesa tjetër kufizohet në shuma shumë më të vogla, kryesisht për arsye politike të brendshme. Kjo mund të shihet kur shtohet ndihma për Ukrainën, nga e cila rezulton se vendet e BE-së janë gati të shpenzojnë mesatarisht 0.19% të PBB-së së tyre. Por dallimet brenda Evropës janë shumë të mëdha.

Për shembull, Letonia dhe Estonia kanë bërë angazhime ndaj Ukrainës prej rreth 1% të PBB-së së tyre vjetore, ndërsa kontributi i Polonisë është 0.6% e PBB-së së saj. Por ndihma e ekonomive më të mëdha evropiane është shumë më modeste: Britania e Madhe ndan vetëm 0.24% të PBB-së së saj, Gjermania 0.17% dhe Italia dhe Franca 0.15% secila.

Përveç kësaj, do të duhet kohë që politika e ndalimit të naftës dhe gazit rus të hyjë në fuqi: embargoja e naftës duhet të hyjë në fuqi në fund të këtij viti dhe ndërprerja e plotë e furnizimeve me gaz rus mund të ndodhë deri në vitin 2025. Deri atëherë, situata në tregun global për gazin natyror të lëngshëm, alternativa kryesore e furnizimeve me tubacione nga Federata Ruse, do të lehtësohet ndjeshëm për shkak të vënies në punë të kapaciteteve të reja në SHBA dhe Katar.

Por edhe kur Evropa do të fillojë të blejë dukshëm më pak lëndë të para nga Rusia, raporti përfundimtar i ndihmës së saj të pavullnetshme për Moskën me ndihmën e saj të vetëdijshme për Ukrainën nuk ka gjasa t'i afrohet ekuilibrit. Hendeku është shumë i madh dhe mbështetja për Kievin nën presionin e ndjenjave publike dhe vendimeve pragmatike politike nuk ka gjasa të rritet më.