Botë

Kievi përgatitet për dimër pa ngrohje, ujë e rrymë

Descriptive Text

“Ne po bëjmë gjithçka për ta shmangur këtë. Por le të jemi të sinqertë, armiqtë tanë po bëjnë gjithçka që qyteti të jetë pa ngrohje, pa energji elektrike, pa ujë. Dhe e ardhmja e vendit dhe e ardhmja e secilit prej nesh varet nga sa të përgatitur jemi për situata të ndryshme”, tha kryetari Vitali Klitschko për mediat shtetërore

Kryetari i Kievit, kryeqytet i Ukrainës, po paralajmëron banorët se duhet të përgatiten për më të keqen këtë dimër nëse Rusia vazhdon të godasë infrastrukturën energjetike të vendit - dhe kjo do të thotë të mos ketë energji elektrike, ujë ose ngrohje.

“Ne po bëjmë gjithçka për ta shmangur këtë. Por le të jemi të sinqertë, armiqtë tanë po bëjnë gjithçka që qyteti të jetë pa ngrohje, pa energji elektrike, pa ujë. Dhe e ardhmja e vendit dhe e ardhmja e secilit prej nesh varet nga sa të përgatitur jemi për situata të ndryshme”, tha kryetari Vitali Klitschko për mediat shtetërore.

Mesazhi inkurajues i presidentit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha në fjalimin e natës drejtuar kombit se rreth 4.5 milionë njerëz janë pa energji elektrike. Ai u bëri thirrje ukrainasve që të durojnë vështirësitë dhe “ne duhet ta kalojmë këtë dimër dhe të jemi edhe më të fortë në pranverë se tani”.

Rusia është fokusuar në goditjen e infrastrukturës energjetike të Ukrainës gjatë muajit të fundit, duke shkaktuar mungesa të energjisë dhe ndërprerje të qarkullimit në të gjithë vendin.

Ndërprerje të vazhdueshme ishin planifikuar gjithashtu në rajonet Chernihiv, Cherkasy, Zhytomyr, Sumy, Kharkiv dhe Poltava, tha operatori shtetëror i energjisë i Ukrainës, Ukrenergo.

Kievi planifikon të vendosë rreth 1.000 pika ngrohjeje, por është e paqartë nëse kjo do të mjaftonte për një qytet me 3 milionë banorë.

Ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj në kryeqytet, banorët e qytetit të Ukrainës të pushtuar nga Rusia, Kherson, morën mesazhe paralajmëruese në telefonat e tyre duke iu kërkuar që të evakuoheshin sa më shpejt të jetë e mundur. Ushtarët rusë paralajmëruan civilët se ushtria e Ukrainës po përgatitej për një sulm masiv dhe u tha njerëzve që të niseshin menjëherë në bregun e djathtë të qytetit.

Paralajmërimi rus

Forcat ruse po përgatiten për një kundërofensivë ukrainase për të rimarrë qytetin jugor të Khersonit, i cili u pushtua gjatë ditëve të para të pushtimit. Në shtator, Rusia aneksoi ilegalisht Khersonin, si dhe tri rajone të tjera dhe më pas shpalli ligjin ushtarak në katër provincat.

Administrata e instaluar nga Kremlini në Kherson tashmë ka zhvendosur dhjetëra mijëra civilë jashtë qytetit.

Sulmet kanë shkatërruar pothuajse tërësisht termocentralet që i shërbejnë qytetit Bakhmut dhe qytetit të afërt Soledar, tha Pavlo Kyrylenko, guvernatori ukrainas i rajonit. Granatimet vranë një civil dhe plagosën tre të tjerë.

“Shkatërrimi është i përditshëm, nëse jo çdo orë”, tha Kyrylenko për televizionin shtetëror.

Separatistët e mbështetur nga Moska kanë kontrolluar një pjesë të Donjeckut për gati tetë vjet përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në fund të shkurtit. Mbrojtja e republikës së vetëshpallur të separatistëve ishte një nga justifikimet e presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin dhe trupat e tij kanë shpenzuar muaj të tërë duke u përpjekur të kapnin të gjithë provincën.

Midis të shtunës dhe të dielës, Rusia lëshoi ​​katër raketa dhe 19 sulme ajrore duke goditur më shumë se 35 fshatra në nëntë rajone, nga Chernihivi dhe Kharkiv në verilindje deri në Kherson dhe Mykolaiv në jug, sipas zyrës së Zelenskyyit. Sulmet vranë dy persona dhe u plagosën gjashtë.

Në Kharkiv, zyrtarët po punonin për të identifikuar trupat e gjetur në varre masive pasi rusët u tërhoqën, tha për mediat lokale Dmytro Chubenko, një zëdhënës i zyrës së prokurorit rajonal.

Mostrat e ADN-së janë mbledhur nga 450 trupa të zbuluar në një varr masiv në qytetin e Iziumit, por mostrat duhet të përputhen me të afërmit dhe deri më tani kanë marrë pjesë vetëm 80 persona, tha ai.

Në një lajm të mirë, termocentrali bërthamor i Zaporizhzhias u rilidh me rrjetin elektrik të Ukrainës, raportuan mediat lokale të dielën. Centrali më i madh bërthamor i Evropës ka nevojë për energji elektrike për të ruajtur sistemet jetike të ftohjes, por ai kishte funksionuar me gjeneratorë emergjence me naftë që kur granatimet ruse ndërprenë lidhjet e tij të jashtme.

Përktheu: Forca Jashari