Botë

34 fëmijë rrëmbehen në Ukrainë

Rusia po akuzohet se i ka kidnapuar 34 fëmijë në Kherson, raportoi “Kyivindependent” të dielën.

Kreu i administratës së zonës, Yaroslav Yanushevich, tha se fëmijët janë marrë nga fshati Myrna, dhe me urdhra të autoriteteve ruse, janë larguar nga zona. Nuk dihet se të çfarë nacionaliteti janë fëmijët.

“Okupatorët na i rrëmbyen 34 fëmijë nga Myrna dhe u dërguan në qytetit e Rusisë, Anapa. Prindërve iu kanë premtuar se fëmijët do t’ua kthejnë në fund të javës, por kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi ai.

Nuk është konfirmuar një informacion i tillë, ndërsa u tha se fëmijët mund të jenë përdorur për t’u dërguar në luftë.

Që nga 24 shkurti kur nisi agresioni, Rusia është akuzuar se po i vret dhe po i kidnapon fëmijët e Ukrainës.

Më 6 shtator, autoritetet thanë se që nga nisja e luftës, 382 fëmijë ukrainas janë vrarë nga forcat ruse, e 740 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve.

Vetëm gjatë marsit, një muaj pasi nisi agresioni rus, u regjistruan 121 fëmijë të vrarë në Ukrainë.

Organizatat botërore për fëmijë kishin nisur që në shkurt evakuimin e fëmijëve dhe të grave nga territori ukrainas. Miliona gra e fëmijë kaluan kufirin, e një pjesë e madhe ndaloi në Poloni.

UNICEF-i pati ngritur alarmin që fëmijët të ikin nga Ukraina pasi mund të bien pre e trafikimit.