Botë

Shumica e kandidatëve refuzojnë numërimin e votave me dorë

Një sondazh i Associated Pressit i kandidatëve për sekretarë shtetërorë nga radhët e partive kryesore në 24 shtetet, spikati skepticizmin e gjerë në lidhje me numërimin me dorë midis profesionistëve të zgjedhjeve të të gjitha vijave ideologjike

Shumica dërrmuese e kandidatëve që konkurrojnë për t'u bërë zyrtarë kryesorë të zgjedhjeve të shteteve të tyre po kundërshtojnë numërimin e votave me dorë, një proces i mundimshëm dhe i prirë ndaj gabimeve, por që favorizohet nga disa republikanë që përqafojnë teoritë e konspiracionit rreth makinerive të votimit.

Një sondazh i Associated Pressit i kandidatëve për sekretarë shtetërorë nga radhët e partive kryesore në 24 shtetet spikati skepticizmin e gjerë në lidhje me numërimin me dorë midis profesionistëve të zgjedhjeve të të gjitha vijave ideologjike. Nga 23 republikanë që iu përgjigjën sondazhit, 13 thanë qartazi se kundërshtonin zbatimin e numërimit me dorë të votave në mbarë vendin, në vend të numërimit me makinë.

Rreziku

Kandidatët republikanë në Arizona dhe New Mexico kanë miratuar më parë idenë e numërimit me dorë. Por të tjerët paralajmëruan se ishte rrugë e rrezikshme për t'u rrahur.

"Numërimi i votave me dorë është një proces që kërkon kohë, fuqi punëtore dhe është i prirë për pasaktësi", shkroi sekretari i shtetit në Kansas, Scott Schwab, republikan që kërkon rizgjedhjen këtë vit, në përgjigje të sondazhit të AP-së.

Image

Dëshira për t’i numëruar fletët e votimit buron nga teoritë e konspiracionit të përhapura nga ish-presidenti Donald Trump dhe nga aleatët e tij se makinat elektronike që renditën rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ishin të manipuluara. Tani disa republikanë të frymëzuar nga gënjeshtrat e tij zgjedhore kërkojnë të zgjerojnë ose kërkojnë numërimin me dorë të të gjitha votave.

Numërimi me dorë zgjat më shumë, kërkon grupe të mëdha njerëzish për të ekzaminuar fletët e votimit dhe nga studime të shumta është dëshmuar më pak i besueshëm sesa përdorimi i makinerive të votimit.

"Arsyeja pse SHBA-ja u zhvendos në makinat e numërimit është për shkak të gabimit njerëzor dhe mashtrimit me numërimin me dorë, kështu që ne kërkuam një mënyrë më të mirë për të numëruar votat", tha Kim Crockett, kandidate republikane për sekretaren e shtetit në Minesota, në një email. “Shkalla e gabimit për numërimin me dorë është më e lartë se shkalla e gabimit për numëruesit e votave në shumicën e rasteve”.

Crockett, e cila i ka quajtur zgjedhjet e vitit 2020 "të manipuluara" dhe u bëri jehonë disa prej gënjeshtrave të tjera të zgjedhjeve të Trumpit, gjithashtu mendon se makinat e votimit të shtetit të saj kanë ende nevojë për inspektim të mëtejshëm.

Nën llupën e madhe

Procesi u vu nën vëzhgim javën e kaluar kur Nye County në Nevada filloi numërimin e pashembullt të plotë të votave të mesmandatit të këtij viti, duke filluar me fletëvotimet e dërguara me postë dhe ato të hedhura herët personalisht. Procesi ishte shumë i ngadalshëm derisa u ndalua nga gjykata supreme e shtetit për shqetësimet se regjistrimet e hershme të votave mund të dilnin publikisht.

Ndërsa sondazhi i AP-së zbuloi se shumica e kandidatëve favorizojnë fuqimisht tabuluesit e makinerive, dy kandidatë republikanë për sekretarë shtetërorë në shtetet kryesore - Arizona dhe New Mexico - duan të kalojnë në metodën jo të besueshme të numërimit të votave. Një i tretë në një shtet tjetër të luhatur, Nevada, ka mbështetur përpjekjet e Nye Countyt dhe ka shprehur mbështetje për ta bërë standard në mbarë vendin.

Në Arizona, përfaqësuesi republikan i shtetit, Mark Finchem, i cili kandidon për sekretar shteti, iu bashkua kandidatit të partisë së tij për guvernator, Kari Lake, në ngritjen e një padie që kërkon të nxjerrë jashtë ligjit përdorimin e çdo makinerie për regjistrimin ose tabelimin e votave. Çështja u mbyll nga një gjyqtar i cili vendosi sanksione kundër republikanëve.

Në New Mexico, kandidatja republikane për sekretaren e Shtetit, Audrey Trujillo, ka thënë se dëshiron numërim të gjerë të votave. “Numëroni me dorë fletën time. Tashmë kemi fletë votimi në letër”, tha ajo në një intervistë në platformën Rumble. “Nëse do ta kishim këtë, ju garantoj se shumë më shumë njerëz do të dilnin dhe do të votonin”.

As Finchem dhe as Trujillo nuk iu përgjigjën sondazhit të AP-së.

Kandidati republikan për sekretar të shtetit në Nevada ka ofruar përgjigje kontradiktore. Një zëdhënës i fushatës për kandidatin republikan, Jim Marchant, tha për AP-në se Marchant do të ishte mirë me një numërim makinerie për sa kohë që ka edhe fletëvotimi në letër, të cilat përdoren universalisht në Nevada. Por muajin e kaluar, Marchant i tha AP-së në një intervistë të veçantë: "Qëllimi im është të shkohet me një sistem të votave të numërimit me dorë”.