Botë

Britania sanksionon edhe katër biznesmenë rusë

Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe, ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj katër biznesmenëve rusë, kompanitë e të cilëve, thuhet se janë të lidhura me luftën në Ukrainë.

Sipas njoftimit në mesin e të sanksionuarve janë Alexander Abramov dhe Alexander Frolov, të cilët Britania i lidh me biznesmenin rus Roman Abramovich, i cili u sanksionua nga Londra në fillim të këtij viti.

“Nga sot, ne po sanksionojmë edhe katër oligarkë të tjerë që kanë fituar privilegje për shkak të njohjes së tyre me Putin dhe në këmbim financojnë makinerinë e tij ushtarake”, citohet të ketë thënë sekretari i jashtëm britanik, James Cleverley.

Ai ka vlerësuar se presioni ekonomik me sanksione ndaj personave të afërt me presidentin rus Vladimir Putin, do të vazhdojë deri në fitoren e Ukrainës.

Gjithashtu sot janë sanksionuar edhe Airat Shaimiev, i cili ka pasuri në një vlerë neto prej 902 milionë funte dhe Albert Shigabutdinov, i cili ka pasuri në neto prej 977 milionë funte.

Katër biznesmenët rusë janë subjekt i ndalimeve të udhëtimit, ngrirjes së aseteve dhe sanksioneve të transportit.