Botë

Inteligjenca britanike: Rusia me dy aeroplanë përgjues në Bjellorusi

Descriptive Text

Inteligjenca britanike ka njoftuar të martën se në bazë të pamjeve satelitore, dy aeroplanë përgjues rusë, të tipit MiG-31K FOXHOUND, u panë të parkuar pranë aeroportit Machulischi në Bjellorusi më 17 tetor.

Pranë aeroplanëve ishte e lidhur një pako me raketën balistike AS-24 Killjov, municion i madh që sipas Inteligjencës, i jep Rusisë avantazh shtesë në goditjen e objektivave brenda Ukrainës.

“Rusia vazhdon t’i shpenzojë municionet e saj të avancuara me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave operacionale. Me një distancë prej mbi 2000 km, vendosja e KILLJOY në Bjellorusi i jep Rusisë pak avantazh shtesë në drejtim të goditjes së objektivave brenda Ukrainës”, thuhet në raportin britanik.

Ky veprim i Rusisë, po cilësohet si mesazh për Perëndimin dhe portretizim i Bjellorusisë se ky shtet është i gatshëm të bashkëpunojë në luftë.

Bjellorusia që nga nisja e agresionit rus (24 shkurt), ka qenë pro vendimit të presidentit Vladimir Putin për pushtim. Të dy shtetet javë më parë kanë krijuar një grup të përbashkët ushtarak “për t’u kujdesur për sigurinë e dy vendeve”.