Botë

Guantanamo liron të burgosurin më të vjetër

I burgosuri më i vjetër i burgut famëkeq të Guantanamos është liruar për në vendin e tij, Pakistan, pasi u mbajt për gati dy dekada.

Saif Ullah Paracha, 75 vjeç, u arrestua dy vjet pas sulmeve të 11 shtatorit tw vitit 2001 në SHBA, dhe u akuzua si simpatizant i Al-Kaedës, raportoi BBC-ja të shtunën.

Paracha u dyshua për financimin e grupit xhihadist, por deklaroi se ishte i pafajshëm dhe nuk u akuzua kurrë.

Burgu ushtarak amerikan në Kubë dikur strehonte qindra militantë të dyshuar të kapur pas sulmeve.

"Saif Ullah Paracha, një shtetas pakistanez, i cili u ndalua në Gjirin e Guantanamos, është liruar dhe ka arritur në Pakistan të shtunën, 29 tetor 2022”, bëri të ditur ministria e Jashtme e Pakistanit.

Paracha u kap në korrik të vitit 2003 në Tajlandë pas një operacioni të ashpër nga FBI-ja.

Paracha, i cili studioi në SHBA, u akuzua nga autoritetet amerikane se kishte kontakte me disa nga figurat më të larta të grupit, duke përfshirë udhëheqësin e ti,j Osama bin Laden dhe Khalid Sheikh Mohammed.

Pas 14 muajsh në një burg ushtarak amerikan në Bagram, Afganistan, ai u transferua në Guantanamo.

Burgu sekret ushtarak amerikan është përdorur për të mbajtur ata që Amerika i përshkruan si luftëtarë të paligjshëm të kapur gjatë "luftës së saj kundër terrorit".

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është nën presion për të pastruar të burgosurit e pa akuzuar dhe për të vazhduar me gjyqet e atyre që akuzohen për lidhje të drejtpërdrejta me Al-Kaedën.

Administrata e tij miratoi lirimin e Paracha vitin e kaluar, së bashku me atë të një shtetasi tjetër pakistanez, 55-vjeçarit Abdul Rabbani dhe jemenasit Uthman Abdul al-Rahim Uthman, 41 vjeç.

Janë edhe 35 persona që mbahen në Guantanamo – përfshirë Khalid Mohammedin, i quajtur si “arkitekti kryesor i sulmeve të 11 shtatorit” në Raportin e Komisionit të 11 shtatorit.