Botë

Zelensky: Taktikat ruse në frontin lindor “të çmendura”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar komandantët rusë për “çmenduri” në tentimin për ta kapur qytetin lindor Bakhmut, raporton BBC.

Qyteti, që gjendet në rajonin e Donetskut dhe kishte një popullsi afro 70 mijë banorë para se të fillonte lufta – ka qenë qendër e sulmeve ruse me muaj.

Megjithë avancimin ukrainas në qytetin kyç të Khersonit, Zelensky ka thënë se sulmet vazhdojnë.

Marrja e qytetit do të ishte fitore simbolike për Rusinë.

“Këtu është më evidente çmenduria e komandantit rus. Ditë pas dite për muaj, po shtyjnë njerëzit drejt vdekjes së tyre, po koncentrojnë sulmet me artileri të nivelit më të lartë”, tha Zelensky në adresimin e tij të mërkurën mbrëma, nga Kievi.

Oleksiy Arestovych, një këshilltar i Zelenskyt, ka thënë se në një ditë forcat ruse kanë lansuar tetë sulme të ndryshme në Bakhmut dhe atë para kohës së drekës.

Ai ka thënë se sulmet janë neutralizuar në secilin rast.

Qyteti gjendet në rrugën kryesore që çon te qytetet ukrainase Sloviansk e Kramatorsk, që janë pushtuar nga Rusia.

Ndërsa Rusia është duke pasur telashe në pjesën më të madhe të Ukrainës, forcat e saja kanë bërë përparim rreth Bakhmutit në javët e fundit.

Analistët thonë se qyteti ka pak vlerë në vete, ndonëse thonë se nëse Rusia merr qytetin, atëherë do të sillte artilerinë ruse në distancën e duhur për të goditur qytetet tjera.