Botë

Turqia arreston 11 gazetarë të mediave pro-kurde

recep tayyip erdogan, erdogan, turqia

Policia ka kryer bastisje në disa qytete të Turqisë të martën dhe ka arrestuar 11 gazetarë të lidhur me media pro-kurde për lidhje të dyshuara me militantët kurdë.

Arrestimet erdhën disa ditë pasi Turqia ratifikoi ligjin e ri kontrovers për media që urdhëron dënimin me burg për njerëzit që konsiderohen se po përhapin “dezinformata” me qëllimin e shkaktimit të “panikut, frikës dhe shqetësimit publik”. Kritikët kanë thënë se frikësohen se qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan – e cila tashmë kontrollon shumicën e mediave – do ta përdorë ligjin që të shtypë më shumë rrjetet sociale dhe raportimin e pavarur.

Policia tha në një njoftim publik se të dyshuarit u arrestuan për përmbajtje të lajmeve “që nxisin publikun në urrejtje dhe armiqësi”, raportoi AP. 

Po ashtu, akuzoi agjencinë e lajmeve “Mezopotamya” që është prokurde se operoi si “këshill medial” i partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ndërsa i përshkroi bastisjet si “operacion anti-terrorist”.

Turqia është vënë në mesin e burgosësve më të mëdhenj në botë të gazetarëve, dhe 35 gazetarë dhe punonjës të tjerë të medias aktualisht janë në burg sipas ligjeve anti-terroriste turke.