Botë

Bidenit i kërkohet ta ndërrojë strategjinë për Ukrainën duke negociuar me Rusinë

Descriptive Text

Dhjetëra anëtarë liberalë të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë bërë thirrje presidentit, Joe Biden të ndryshojë kursin në strategjinë e tij për Ukrainën dhe të ndjekë diplomacinë e drejtpërdrejtë me Rusinë për t'i dhënë fund konfliktit disamujor.

Në një letër dërguar Bidenit të hënën, grupi prej 30 demokratësh vlerësoi përpjekjet e Bidenit për të mbështetur Ukrainën duke shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në terren. Por ata sugjerojnë një përpjekje më të fuqishme për t'i dhënë fund luftës përmes diplomacisë, duke thënë se është e nevojshme të parandalohet një konflikt i gjatë.

“Duke pasur parasysh shkatërrimin e krijuar nga kjo luftë për Ukrainën dhe botën, si dhe rrezikun e përshkallëzimit katastrofik, ne gjithashtu besojmë se është në interes të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe botës që të shmanget një konflikt i zgjatur. Për këtë arsye, ne ju nxisim të bashkoni mbështetjen ushtarake dhe ekonomike që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës me një shtytje diplomatike proaktive, duke dyfishuar përpjekjet për të kërkuar një kornizë realiste për një armëpushim”, thuhet në letrën e tyre të udhëhequr nga kryetarja e Grupit Progresiv të Kongresit, Pramila Jayapa.

Letra vjen në një moment kritik të luftës, me Rusinë që synon gjithnjë e më shumë infrastrukturën civile me fokus të veçantë shkurtimin e furnizimit me energji elektrike përpara dimrit.

Në Kongres, pyetjet janë rritur në lidhje me gatishmërinë e ligjvënësve për të mbështetur mbështetjen masive financiare dhe ushtarake që i ka shkuar Ukrainës. Disa republikanë kanë kërcënuar se do të shkurtojnë ndihmën për vendin nëse marrin kontrollin e Kongresit në nëntor.

Demokratët liberalë, në letrën e tyre, thonë se janë të nevojshme përpjekje më të drejtpërdrejta me Moskën.

John Kirby, koordinatori i komunikimit strategjik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka thënë se Shtëpia e Bardhë e ka marrë letrën. Ai tha gjithashtu se nuk kishte indikacione se presidenti rus, Vladimir Putin është i gatshëm të angazhohet në diplomaci serioze për t'i dhënë fund luftës.

“Kur shihni dhe dëgjoni retorikën e tij dhe shihni gjërat e tjera, qofshin ato mizori, krimet e luftës, sulmet ajrore kundër infrastrukturës civile që po kryejnë rusët, është e qartë se zoti Putin nuk është në disponim për të negociuar”, tha Kirby.

Ai tha se varet nga Ukraina dhe presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, të përcaktojnë se kur është koha e duhur për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve.