Botë

Vuçiqi takohet me përfaqësuesit e QUINT-it: Vazhdojmë politikën e ruajtjes së paqes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar të premten ambasadorët e shteteve të QUINT-it si dhe shefin e Delegacionit të BE-së.

Përmes një postimi në Instagram pas takimit, Vuçiqi ka bërë të ditur se Serbia vazhdon të udhëheq një politikë të përgjegjshme që ruan paqen dhe interesat kombëtare të shtetit të saj.

“Bisedime serioze dhe thelbësisht të rëndësishme për Serbinë me ambasadorët e QUINT-it dhe BE-së. Përkundër të gjitha sfidave, ne vazhdojmë të udhëheqim një politikë të përgjegjshme që ruan paqen dhe interesat kombëtare të vendit tonë, për të mbrojtur frymën e lirisë dhe pavarësisë së Serbisë dhe gjithmonë t'ua tregojmë të vërtetën të gjithëve", thuhet në llogarinë zyrtare të tij në Instagram.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë shtuar ditëve të fundit presionin ndaj Kosovës e Serbisë për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund dialogut të nisur rreth 10 vjet më parë.