Botë

Spanja dhe Franca me marrëveshje të re për ndërtimin e tubacionit nënujor të gazit

Descriptive Text

Franca dhe Spanja kanë arritur një marrëveshje të re për të ndërtuar tubacion gazi nënujor nga Barcelona në Marsejë, shkroi të enjten Euronews.

Me arritjen e kësaj marrëveshjeje është anuluar një projekt tubacioni i ngelur prej kohësh, i cili do të lidhte vendet përmes Pirenejve.

Tubacioni do t’i lejojë Spanjën dhe Portugalinë – dy importuesit kryesor të gazit natyror të lëngshëm (LNG), të sjellin furnizimet e tyre të tepërta në Francë dhe vende të tjera evropiane.

LNG-ja është bërë malli më i përdorur për të zëvendësuar vëllimet e mëdha të gazit rus që Kremlini ka ndërprerë që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Bashkimi Evropian po përpiqet të sigurojë sa më shumë gaz natyror të lëngshëm të jetë e mundur komercialisht, në mënyrë që të kalojë dimrin pa ndërprerje të mëdha të energjisë.

Marrëveshja u njoftua të enjten nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri portugez, Antonio Costa, përpara një samiti të BE-së në Bruksel , ku kriza energjetike do të jetë tema kryesore.

Tubacioni fillimisht do të transportojë gaz, një lëndë djegëse fosile ndotëse që kontribuon në ndryshimet klimatike, por gradualisht do të mbushet me hidrogjen të gjelbër dhe "gazra të rinovueshme".

Në të njëjtën kohë, Spanja dhe Portugalia angazhohen për të përfunduar një tjetër ndërlidhje gazi, të quajtur CelZa, midis Celourico da Beira dhe Zamoras.

Sanchez, Macron dhe Costa do të takohen sërish më 9 dhjetor për të përcaktuar detajet e financimit të projektit BarMar.