Botë

Aeroplani ushtarak rus përplaset me një ndërtesë banimi, katër kate në flakë

Descriptive Text

Një aeroplan ushtarak është përplasur me një ndërtesë banimi në Rusi, me ç’rast ka shkaktuar një shpërthim të madh zjarri, raportoi të hënën “Daily Mail”.

Aeroplani ishte në një fluturim stërvitor kur për shkak të defekteve, u fut në bllokun e banesave në Yeysk – qytet turistik në Detin Azov, pranë Krimesë.

Anëtarët e ekuipazhit arritën të dilnin nga aeroplani pak para përplasjes dhe u ulën me parashutë në mënyrë të sigurt.

Katër kate të ndërtesës janë ende në flakë, ndërsa nuk raportohet për viktima.

Për përplasjen e avionit është deklaruar edhe Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Më 17 tetor, derisa po ngjitej për të kryer një fluturim stërvitor nga aeroporti ushtarak i Qarkut Ushtarak Jugor, një avion Su-34 u rrëzua në qytetin e Yeysk. Sipas raportimit të pilotëve të përfshirë, shkaku i rrëzimit të avionit ishte ndezja e njërit prej motorëve gjatë ngritjes”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Guvernatori rajonal, Veniamin Kondratyev, ka thënë se të gjitha shërbimet rajonale të urgjencës janë vënë në dispozicion për ta shuar zjarrin.

Autoritetet lokale njoftuan se zjarri masiv përfshiu disa kate të një ndërtese, ku së paku 15 apartamente u prekën.