Që kur filluan të mbërrinin në Ukrainë pranverën e kaluar terminalet e internetit satelitor "Starlink" të prodhuara nga kompania SpaceX e Elon Musk, ato kanë qenë një burim jetik komunikimi për ushtrinë ukrainase, duke e lejuar atë të luftojë dhe të qëndrojë e lidhur, edhe pse telefonat celularë dhe rrjetet e internetit ishin shkatërruar nga sulmet ruse.
Deri më tani rreth 20,000 njësi satelitore Starlink i janë dhuruar Ukrainës, derisa Musku ka shkruar në Twitter të premten se "operacioni i ka kushtuar SpaceX 80 milionë dollarë dhe do të kalojë 100 milionë dollarë deri në fund të vitit", raportoi CNN-i të premten.
Por këto kontribute bamirëse mund të marrin fund, pasi SpaceX ka paralajmëruar Pentagonin se mund të ndalojë financimin e shërbimit në Ukrainë, nëse ushtria amerikane nuk jep dhjetëra miliona dollarë në muaj.
Dokumentet e siguruara nga CNN-i tregojnë se SpaceX e Musk muajin e kaluar i dërguan një letër Pentagonit duke thënë se nuk mund të vazhdojnë të financojë shërbimin Starlink atje. Letra gjithashtu kërkoi që Pentagoni të merrte përsipër fondet për përdorimin e Starlink nga qeveria dhe forca ushtarake e Ukrainës, për të cilën SpaceX pretendon se do të kushtonte më shumë se 120 milionë dollarë për pjesën tjetër të vitit dhe mund të kushtojë afër 400 milionë dollarë për 12 muajt e ardhshëm.
“Ne nuk jemi në gjendje të dhurojmë më tej terminale në Ukrainë, ose të financojmë terminalet ekzistuese për një periudhë të pacaktuar kohore”, i ka shkruar drejtori i shitjeve qeveritare të SpaceX Pentagonit në letrën e shtatorit.
Në dokumentet e SpaceX të dërguara në Pentagon dhe të siguruara nga CNN-i është edhe një kërkesë e drejtpërdrejtë e paraportuar më parë, që iu bë Muskut në korrik nga gjenerali komandues i ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhniy, për gati 8,000 terminale të tjera Starlink.
Në një letër të veçantë drejtuar Pentagonit, një konsulent i jashtëm që punonte për SpaceX shkroi,
“SpaceX përballet me vendime tmerrësisht të vështira këtu. Unë nuk mendoj se ata kanë aftësinë financiare për të ofruar ndonjë terminal apo shërbim shtesë siç kërkohet nga gjenerali Zaluzhniy”.
-
14 tetor 2022 11:20
-
Shpërndaje në: