Botë

Plani i SHBA-së për mbrojtjen e qiellit ukrainas nga avionët rusë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një sistemi të integruar të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, që do t'i parandalonte sulmet ruse, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Kreu i Shefave të Shtabit të SHBA-së, Mark Milley, deklaroi se kombinimi i armëve me rreze të shkurtra, të mesme dhe të gjata, do ta mbyllte hapësirën ajrore për avionët rus, në disa zona të caktuara.

“Kombinimi i të gjitha mjeteve do të lejonte mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë. Nuk bëhet fjalë për të gjithë hapësirën ajrore të Ukrainës, por për hapësira specifike”, tha ai.

Milley dhe ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, mbajtën një konferencë për media pas takimit të liderëve të NATO-s në Bruksel, ku aleatët e Ukrainës u takuan për t'i diskutuar sulmet ruse. Në shtator, aleatët iu dërguan trupave ukrainase sistemin ajror mbrojtës NASAMS, derisa ministri Austin shtoi se edhe disa të tjerë do t'i dërgohen së shpejti.

“Jam absolutisht i sigurt se pjesa tjetër e vendeve do të bëjnë atë që munden dhe kur të munden për të transferuar armatim shtesë. Na dëgjuat duke folur për NASAMS dhe është mjet i mirë që do t'iu ndihmojë ukrainasve. Sot, më tepër vende kanë dalë që do të sigurojnë sisteme NASAMS”, deklaroi Austin.

Sistemi NASAMS ka aftësinë t'i godasë objektivat në një distancë deri në 25 kilometra dhe në një lartësi deri në 16 kilometra.

Ndonëse zyrtarët amerikanë nuk morën vendim për mbyllje të qiellit ukrainas, Andriy Yermak, shef i Zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se kjo është historike.