Botë

Kievi zgjohet nga sirenat e alarmit, banorët kërkojnë strehim nga bombat

Njerëzit në Ukrainë janë zgjuar të martën me sirenat e alarmit, pasi vendi parashikohet të sulmohet sërish nga forcat ruse.

Banorët e Ukrainës po kërkojnë strehim për t’u shpëtuar sulmeve ajrore nga Rusia, pas atyre të hënën, raportoi BBC-ja të martën.

Kërcënimi nga bombardime të reja vjen vetëm një ditë pasi Rusia sulmoi disa qytete të Ukrainës, duke lënë të paktën 14 të vdekur e shumë të tjerë të plagosur. Qytetet që janë sulmuar janë Kievi, Lvivi, Zaporizhzhia, Dnipro dhe Kharkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se sulmet ishin hakmarrje për shpërthimin e së shtunës në një urë kyç që lidh Rusinë me Krimenë aneksuar më 2014.

Sulmet janë dënuar nga fuqitë botërore, derisa presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka premtuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore.