Botë

SHBA: S’ka shenja se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore

Shtetet e Bashkuara të Amerikanës kanë deklaruar se nuk ka asnjë indikacion që Rusia po përgatitet të përdorë armët bërthamore pavarësisht kërcënimeve nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kështu është shprehur të martën sekretarja e shtypit e Shteteve të Bashkuara, Karine Jean-Pierre.

"Ne e marrim shumë seriozisht këtu çdo armë bërthamore, por dua të them se ne nuk kemi parë ndonjë arsye për të rregulluar qëndrimin tonë strategjik bërthamor, as nuk kemi ndonjë tregues që Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, tha Jean-Pierre para gazetarëve.

Putini e ka përshkallëzuar luftën shtatë mujore në Ukrainë me një mobilizim ushtarak prej 300 mijë personash dhe paralajmërime për përdorimin e armëve bërthamore.