Botë

Dy zyrtarë të lartë të Macronit akuzohen për konflikt interesi brenda pak orësh

Një zyrtar kryesor në zyrën e presidentit francez, Emmanuel Macron, është paditur të martën për konflikt interesi.

Lëvizja kundër këshilltarit të Macronit, Alexis Kohler, i cili mban një prej pozitave më të fuqishme si sekretar gjeneral në pallatin Élysée, erdhi pak orë pasi një tjetër aleat i presidentit francez, ministri i Drejtësisë, Éric Dupond-Moretti, u urdhërua të paraqitet në gjyq në një çështje të veçantë, gjithashtu për konflikt interesi, raportoi “The Guardian” të martën.

Kohler akuzohet për lidhjet e tij profesionale dhe familjare me kompaninë italo-zvicerane të transportit “Mediterranean Shipping Company” (MSC), e cila udhëhiqet nga kushëriri i nënës së tij, ka thënë prokurori Jean -François Bohnert në një deklaratë.

Kohleri i ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat, ka bërë të ditur avokati i tij, derisa një zyrtar në zyrën e Macronit ka thënë se ai vazhdon të punojë në postin e tij.

Që në vitin 2018, Anticor, një OJQ kundër korrupsionit, paraqiti një ankesë ligjore kundër Kohlerit për tregti të paligjshme përmes ndikimit në lidhje me kontratat e dhëna MSC-së në vitet 2010 dhe 2011.

Kohler dyshohet se nuk i zbuloi lidhjet e tij familjare me MSC-në në agjencinë franceze për investime publike, ku ai punonte në atë kohë. Çështja u pushua një vit më vonë, por në vitin 2020, Anticor ngriti një çështje civile për rastin.

Kohler, zyra e të cilit në Élysée ndodhet pranë asaj të presidentit, shpesh përshkruhet si dora e djathtë e Macronit. Puna e tij përfshin trajtimin e emergjencave, çështjeve të mëdha ekonomike dhe sociale, si dhe disa vendime politike.

Sa i përket rastit të ministrit Dupond-Moretti, ai është urdhëruar të hënën që të paraqitet në gjykatë, i akuzuar për keqpërdorim të pozicionit të tij për të larë hesapet me kundërshtarët nga karriera e tij ligjore. Ish-avokati është ministri i parë francez i drejtësisë që përfshihet në një hetim ligjor.

Akuzat lidhen me hetimet administrative të urdhëruara ndaj tre gjyqtarëve nga Dupond-Moretti si ministër, të cilat u denoncuan nga kritikët si një “gjueti shtrigash”.