Botë

Mbi 200 mijë rusë e kanë lëshuar vendin për t’i ikur luftës në Ukrainë

Më shumë se 200,000 qytetarë rusë kanë udhëtuar nga Rusia në Gjeorgji, Kazakistan dhe Bashkim Evropian që kur presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi më 21 shtator "mobilizimin e pjesshëm" të menjëhershëm të qytetarëve rusë, tregojnë të dhënat kolektive nga vende të ndryshme.

Përafërsisht 100,000 rusë kanë kaluar në Kazakistani gjatë javës së fundit, tha të mërkurën Marat Kozheyev, zëvendësministër i punëve të Brendshme të Kazakistanit, sipas Kazinform, një agjenci shtetërore e lajmeve, përcjellë CNN-i të enjten.

Të paktën 53,136 persona kanë kaluar kufirin gjeorgjio-rus midis 21 dhe 26 shtatorit, tregojnë të dhënat e publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjeorgjisë të martën.

Gati 66,000 qytetarë rusë kanë hyrë në Bashkimin Evropian gjatë javës së kaluar (19-25 shtator) – një rritje prej më shumë se 30% në krahasim me një javë më parë, tha të martën Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare Frontex.

Ky informacion nuk përfshin të dhëna nga Mongolia dhe Armenia, ku gjatë ditëve të fundit kanë udhëtuar edhe shtetas rusë. Të dhënat zyrtare nga Rusia nuk janë të disponueshme publikisht se sa qytetarë rusë janë larguar nga vendi që nga 21 shtatori.

Njoftimi i mobilizimit të Rusisë për luftën e saj në Ukrainë shkaktoi protesta dhe një eksod të qytetarëve rusë nga vendi, pasi Kremlini shtrëngoi rregullat rreth shmangies së urdhrave ushtarakë.

Numri i rusëve që ikin nga vendi për të shmangur thirrjen “ka gjasa e tejkalon” numrin e trupave që hynë në Ukrainë në shkurt, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të martën se nuk e di numrin e njerëzve që janë larguar nga vendi që nga njoftimi. Media e pavarur ruse Novaya Gazeta Europe të martën citoi një burim në administratën presidenciale ruse të thoshte se Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë raportoi se 261,000 burra u larguan nga Rusia që nga shpallja e mobilizimit më 21 shtator.