Botë

Formula e suksesit e “Vëllezërve të Italisë” me rrënjë neofashiste

Duke mbajtur simbolin më të fuqishëm të lëvizjes, flakën trengjyrëshe, Giorgia Meloni i ka ngritur “Vëllezërit e Italisë” nga një grup ekstrem i djathtë në partinë më të madhe të Italisë. Një shekull pas marshimit të Benito Musolinit në Romë në vitin 1992, i cili solli në pushtet diktatorin fashist, Meloni është gati të marrë timonin e qeverisë së parë të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Itali që nga Lufta e Dytë Botërore dhe të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë. Por cila është historia e “Vëllezërve të Italisë” së Melonit?

(AP) – Partia “Vëllezërit e Italisë”, e cila ka fituar më shumë vota në zgjedhjet kombëtare të Italisë, i ka rrënjët në Lëvizjen Sociale Italiane neofashiste të pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke e mbajtur simbolin më të fuqishëm të lëvizjes, flakën trengjyrëshe, Giorgia Meloni i ka ngritur “Vëllezërit e Italisë” nga një grup ekstrem i djathtë në partinë më të madhe të Italisë.

Një shekull pas marshimit të Benito Musolinit në Romë në vitin 1992, i cili solli në pushtet diktatorin fashist, Meloni është gati të marrë timonin e qeverisë së parë të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Itali që nga Lufta e Dytë Botërore dhe të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë.

Si nisi posfashizmi në Itali?

Lëvizja Sociale Italiane, ose MSI, u themelua në vitin 1946 nga Giorgio Almirante, shef kabineti në Qeverinë e fundit të Musolinit. Ajo tërhoqi simpatizantët dhe zyrtarët fashistë në radhët e saj pas rolit të Italisë në luftë, kur ajo ishte aleate me nazistët dhe më pas u çlirua nga aleatët.

Gjatë gjithë viteve 1950-1980, MSI-ja mbeti një parti e vogël e krahut të djathtë, me votime njëshifrore. Mirëpo historiani Paul Ginsborg ka vënë në dukje se thjesht mbijetesa e tij në dekadat e pasluftës “ka shërbyer si kujtesë e vazhdueshme e thirrjes së fuqishme që autoritarizmi dhe nacionalizmi mund të ushtroheshin ende midis studentëve jugorë, të varfërve urbanë dhe klasave të mesme të ulëta”.

Vitet 1990 sollën një ndryshim nën drejtimin e Gianfranco Finit, mbrojtësi i Almirantes, i cili, megjithatë, projektoi një fytyrë të re të moderuar të së djathtës italiane. Kur Fini kishte kandiduar për kryetar të Romës në vitin 1993, fitoi 46.9% të votave - jo të mjaftueshme për të fituar, por mjaftueshëm për ta vendosur atë si lojtar vendimtar. Brenda një viti Fini e kishte riemëruar MSI-në si Aleanca Kombëtare.

Gjatë atyre viteve një Melone e ri, e cila u rrit nga një nënë beqare në një lagje të klasës punëtore në Romë, fillimisht iu bashkua degës së të rinjve të MSI-së dhe më pas vazhdoi të drejtonte degën rinore të Aleancës Kombëtare të Finit.

A nënkupton kjo se Meloni është neofashiste?

Fini ishte i ndjekur nga rrënjët neofashiste të lëvizjes dhe nga vetë vlerësimi i tij se Musolini ishte “burri më i madh i shtetit” i shekullit të 20-të. Ai e hodhi poshtë këtë deklaratë dhe në vitin 2003 e vizitoi memorialin e Holokaustit, Yad Vashem, në Izrael. Atje ai i ka përshkruar ligjet racore të Italisë, të cilat kufizonin të drejtat e hebrenjve, si pjesë e “së keqes absolute” të luftës.

Meloni, gjithashtu, e kishte lavdëruar Musolinin në rininë e saj, por vizitoi Yad Vashem në vitin 2009, kur ishte ministre në qeverinë e fundit të Silvio Berlusconit. Në kujtimet e saj të vitit 2021 “I Am Giorgia”, ajo e përshkroi përvojën si dëshmi se si “një gjenocid ndodh hap pas hapi, pak nga pak”.

Gjatë fushatës, Meloni u detyrua të përballej me këtë çështje, pasi demokratët paralajmëruan se ajo përfaqësonte një rrezik për demokracinë.

“E djathta italiane e ka dorëzuar fashizmin në histori për dekada tani, duke dënuar pa mëdyshje shtypjen e demokracisë dhe ligjet poshtëruese antihebraike”, ka theksuar ajo në një video të fushatës.

Si u formuan “Vëllezërit e Italisë”?

Meloni, e cila me krenari tregon rrënjët si militante e MSI-së, ka thënë se shkëndija e parë e krijimit të “Vëllezërve të Italisë” erdhi pasi Berlusconi dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011, i detyruar nga kriza financiare për borxhin në rritje të Italisë dhe problemet e tij ligjore.

Meloni refuzoi të mbështeste Mario Montin, i cili u pengua nga presidenti i Italisë në përpjekje për të formuar një qeveri teknokratike për të siguruar tregjet financiare ndërkombëtare. Meloni nuk mund të duronte atë që besonte se ishte presioni i jashtëm nga kryeqytetet evropiane për të diktuar politikën e brendshme italiane.

Meloni e ka bashkëthemeluar partinë në vitin 2012, duke e emërtuar atë sipas fjalëve të para të himnit kombëtar italian. “Një festë e re për një traditë të vjetër”, ka shkruar Meloni.

“Vëllezërit e Italisë” do të merrnin vetëm rezultate njëshifrore në dekadën e parë. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në vitin 2019 u sollën “Vëllezërve të Italisë” 6.4% - shifër që Meloni thotë se “ka ndryshuar gjithçka”.

Si udhëheqëse e partisë së vetme në opozitë gjatë qeverisë së unitetit kombëtar të Mario Draghit 2021-2022, popullariteti i saj u rrit me zgjedhjet e së dielës me 26%.

Po logoja e partisë?

Partia në zemër të logos ka flakën kuq, bardh e gjelbër të MSI-së origjinale që mbeti kur lëvizja mori emrin Aleanca Kombëtare. Me më pak elemente se simboli i Partisë Nacionaliste Fashiste të Mussolinit, flaka trengjyrëshe nuk është asgjë tjetër pos imazh i fuqishëm që lidh partinë aktuale me të kaluarën e saj.

“Logot politike janë formë e brendimit, aspak ndryshe prej atyre që synojnë konsumatorët”, ka deklaruar profesori i Universitetit Rutgers, T. Corey Brennan, i cili së fundmi ka shkruar për simbolin politik të fashizmit italian.

Ai ka kujtuar se kur Almiratnte bëri paraqitjen e fundit të fushatës së MSI-së për votuesit në zgjedhjet e vitit 1948 në shkallët spanjolle të Romës ai e vendosi simbolin e flakës në krye të obeliskut dhe e ndriçoi me projektorë.

“Ju mund të bëni çfarëdo që dëshironi prej flakës, por të gjithë e kuptuan se Almirante po bënte një thirrje thellësisht emocionale për të mbajtur gjallë shpirtin e fashizmit”, ka theksuar ai.

Si ndihen italianët?

Në përgjithësi, rrënjët neofashiste të partisë duket se janë shqetësim më i madh jashtë vendit se në Itali. Disa italianë e shpjegojnë duke theksuar një amnezi të caktuar historike në vend dhe rehatia e përgjithshme e italianëve e të jetuarit me reliktet e fashizmit si dëshmi se Italia asnjëherë nuk e mohoi përnjëmend Partinë Fashiste dhe Mussolinin, sikurse bëri Gjermania me Socializmin Nacional dhe Hitlerin.

Përderisa Gjermania kaloi nëpër një proces të gjatë dhe të dhimbshëm të marrjes me të kaluarën e saj, italianët thjesht kanë mbyllur sytë në raport me të kaluarën e tyre.

Historiani David Kertzer nga Universiteti Broën thekson se janë 67 institute për studimin e Rezistencës ndaj Fashizmit në Itali, dhe virtualisht asnjë qendër për studimin e fashizmit italian.

Pos kësaj, arkitektura dhe monumentet e epokës së Mussolinit janë gjithkund: prej lagjes EUR në Romën jugore deri te qendra trajnuese olimpike në lumin Tiber, me obeliskun e saj që ende mban emrin e Mussolinit.

Kushtetuta italiane ndalon pranimin e partisë fashiste, por grupet e së djathtës ekstreme ende manifestojnë përshëndetjen fashiste dhe vazhdon të ketë pranim të simboleve fashiste, ka theksuar Brennan.

“Nuk keni pse të kërkoni shumë për shenja”, ka theksuar Brennan në një intervistë telefonike. “Çereku i kapakëve të pusetave në Romë ende i kanë fashat”.

A do të thotë kjo se italianët e përkrahin fashizmin?

Nëse historia është ndonjë udhërrëfyes, një konstante në zgjedhjet e fundit politike është se italianët votojnë për ndryshim, me një dëshirë për diçka të re që në dukje kapërcen ideologjinë tradicionale politike, tha Nathalie Tocci, drejtoreshë e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare me qendër në Romë.

Tocci tha se popullariteti i "Vëllezërve të Italisë" në vitin 2022 ishte dëshmi e kësaj lëvizjeje "të dhunshme" që ka të bëjë më shumë me pakënaqësinë italiane sesa me ndonjë rritje të ndjenjës neofashiste ose të ekstremit të djathtë.

"Unë do të thosha se arsyeja kryesore pse një pjesë e madhe e tyre - le të themi 25-30% - do të votojnë për këtë parti është thjesht sepse është fëmija i ri në bllok", tha ajo.

Meloni ende flet me nderim për MSI-në dhe Almiranten, edhe nëse retorika e saj mund të ndryshojë për t'iu përshtatur audiencës së saj.

Këtë verë, duke folur me spanjishte të përsosur, ajo gjëmonte në një tubim të partisë spanjolle të djathtë Vox: “Po familjes natyrale. Jo lobit LGBT. Po për identitetin seksual. Jo ideologjisë gjinore”.

Në vend ajo projektoi një ton shumë më të moderuar dhe bëri thirrje për unitet në fjalimin e saj të fitores, të hënën.

"Italia na zgjodhi ne", tha ajo. “Nuk do ta tradhtojmë, siç nuk e kemi bërë kurrë”.

Përktheu: Blerta Haxhiu