Botë

Osmani: Lufta në Ukrainë dëshmon se edhe Serbia nuk shquhet për veprime pozitive me fqinjët

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pritshmëritë e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë janë të fokusuara te njohja reciproke.

Ajo ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë po dëshmon se shtetet autokratike si Serbia e Rusia nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre.

Osmani ka thënë se marrëveshja mes Rusisë dhe Serbisë është mesazh i qartë se Serbia nuk e ka në mend paqen në rajon.

Ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duhen veprime të qarta nga ana e ndërkombëtarëve.

“Ne po fokusohemi që dialogu t’i kontribuojë paqes në rajon. Dokumentet që kanë qarkulluar në disa media, nuk janë dokumente që iu kanë dorëzuar Kosovës. Ajo çfarë është duke ndodhur është një intensifikim i rolit të Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë. Interesi i Serbisë është që ta zvarrisë zgjidhjen. Tash jemi në fazën që po diskutohen elementet e marrëveshjes”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vijat e kuqe për dialogun janë vendosur nga Kuvendi i Kosovës dhe në qendër është njohja reciproke.

Ajo ka thënë se i ka ftuar disa herë partitë opozitare për zhvillimet rreth dialogut, por sipas saj, jo gjithmonë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së saj.

Osmani ka thënë se Beogradi nuk i ka respektuar 2/3 e marrëveshjeve që vet i ka nënshkruar.

“Beogradi është i fundit që mund të flas për zbatim të marrëveshjes. SHBA-ja ka kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth asociacionit, e jo ajo që është nënshkruar me Serbinë. Ne respektojmë vendimin e Gjykatës së Kushtetuese dhe SHBA-ja nuk po kërkon që të biem ndesh me këtë gjykatë”, ka thënë ajo.

Osmani duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë lidhur me Ballkanin e Hapur, ka thënë se bashkëpunimi vazhdon. Sipas saj, mospjesëmarrja në një nismë të tillë është bërë për arsye parimore pasi Kosova nuk mund të jetë e barabartë.

Ajo ka thënë se nuk është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Gjithashtu ka shtuar se masakrat e Serbisë në Kosovë nuk mund të quhen vetëm spastrim etnik pasi janë gjenocid.