Botë

Qeveria e re e Maqedonisë punësoi 96 persona, paraprakja 7.708 veta

Prej 1 qershorit të këtij viti deri më sot nga ana e Qeverisë së re të Maqedonisë gjithsej janë punësuar 96 persona në të gjitha institucionet, transmeton Koha. Prej tyre, 32 janë këshilltarë të posaçëm të kabineteve të ministrive, ndërsa 26 persona janë angazhuar në Qeveri si këshilltarë të kryeministrit, nëpunës kabinetesh të ministrave pa resor dhe persona për marrëdhënie me opinionin, saktësoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski në konferencën e sotme për shtyp. Theksoi se prej 1 qershorit të këtij viti deri më 25 korrik përmes njësive të vetëqeverisjes lokale janë punësuar mbi 300 persona.

“Pjesa më e madhe e komunave janë nën kontroll të partisë më të madhe opozitare dhe kjo tregon se çfarë është fama për partizim të ri të administratës”, tha Mançevski. Theksoj se qeveria e kaluar në periudhën prej shpalljes së zgjedhjeve më 17 tetor të vitit 2016 deri më 31 maj të këtij viti, kur u formua Qeveria e re, kishte angazhuar gjithsej 7.708 persona, edhe pse në pajtim me Kodin zgjedhor dhe Marrëveshjen e Përzhinos nuk ishin të lejuara kurrfarë punësimesh dhe angazhime të personave.

Vetëm më 17 tetor, në ditën e shpalljes së zgjedhjeve, ishin angazhuar 4.473 persona, ndërsa të tjerët 3.235 persona në ditët kur nuk ekziston kurrfarë baze ligjore për angazhime të këtilla. Nga ky numër më 17 tetor u angazhuan 2.313 persona me kontratë në vepër, marrëveshje autoriale apo kontrata për vullnetarizëm.

Ai paralajmëroi raport të hollësishëm në të cilin do të prezantohen të dhënat dhe theksoi se është në fazë të përpunimit analiza funksionale, e cila pritet të jetë e gatshme deri në fund të vitit, me të cilën do të shihet numri i përgjithshëm i personave të angazhuar në administratën publike dhe do të bëhet riorganizimi. Në pajtim me rekomandimet e kryeministrit Zaev, disa nga të punësuarit në administratë publike do të ofrohen në sektorin real në pajtim m nevojat e tyre. Mançevski tha se do të zgjidhet edhe statusi i rreth 1.600 personave të cilët rrinë në shtëpi, ndërkaq marrin rrogë.

I pyetur se për cilin qëllim në ribalancin e Buxhetit është paraparë rritje e buxhetit të MSHIA-së prej 311 në 440 milionë denarë. Mançevski tha se teprica e mjeteve dedikohet për heqjen e takës radiodifuzive dhe shtoi se teknikisht përmes buxhetit të MSHIA-së do të financohet puna e RTVM-së.