Botë

SHBA, treni godet veturën e policisë së parkuar në shina ku ishte një 20-vjeçare e arrestuar (VIDEO)

Descriptive Text

Një video e publikuar nga autoritetet e Kolorados ka treguar momentin kur një tren mallrash godet një patrullë policie të parkuar në shinat e trenit me një person të prangosur brenda automjetit, shkruan “the Guardian” të dielën.

Videoja, e cila është publikuar fundjavën që shkoi nga departamenti i policisë në Fort Lupton, tregon fillimisht arrestimin e 20-vjeçares Yareni Rios-Gonzalez, e dyshuar se në automjetin e saj kishte armë.

Sipas byrosë së hetimit të Kolorados, parkimi që bënë oficerët u konsiderua me rrezik të lartë.

Bazuar në pamjet e publikuara, oficerët arritën ta kuptojnë se një tren po shkonte në drejtim të tyre vetëm 15 sekonda para arritjes së tij.

Me të kuptuar se treni po afrohej, një polic që po qëndronte pranë veturës, brenda së cilës ishte e dyshuara, u largua prej aty.

Treni goditi veturën, ndërsa e dyshuara ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas avokatit të saj Paul Wilkinson, Gonzalez ishte pa ndjenja në kohën kur mbërriti në spital.

“Ajo pësoi lëndime të shumta, duke përfshirë një krah të thyer që kërkonte operacion, nëntë brinjë të thyera, një plagë në shpinë dhe kokë”, ka thënë ai duke i akuzuar zyrtarët policorë për parkim në vend të rrezikshëm.

“Është e pabesueshme që ata kanë bërë diçka të tillë”, ka thënë ai.