Botë

Michel: Evropa t’i hapë dyert për rusët që duan të ikin nga vendi i tyre

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se Evropa duhet t’i hapë dyert për qytetarët rusë që kërkojnë të largohen nga vendi.

Në një intervistë për “Politico” në margjinat e takimit të OKB-së në New York, Michel tha se Bashkimi Evropian duhet të tregojë një "hapje ndaj atyre që nuk duan të instrumentalizohen nga Kremlini".

Njoftimi i Putinit për një mobilizim të pjesshëm të trupave në fillim të kësaj jave e ka ndryshuar dinamikën e luftës, sipas Michel.

Michel, i cili kryeson Këshillin Evropian që përfaqëson krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, tha se ishte i hapur për konsultime me kolegët e BE-së për mënyrën se si mund të arrihet kjo.

“Në parim unë mendoj se Bashkimi Evropian të presë ata të cilët janë në rrezik për shkak të opinioneve të tyre politike. Nëse në Rusi njerëzit janë në rrezik për shkak të opinioneve të tyre politike, sepse nuk ndjekin këtë vendim të çmendur të Kremlinit për të nisur këtë luftë në Ukrainë, ne duhet ta kemi parasysh këtë”, ka thënë ai.

Komentet e Michelit vijnë përpara një takimi të ambasadorëve të BE-së të hënën të organizuar në kuadrin e reagimit të integruar politik të BE-së ndaj krizës (IPCR) - një mekanizëm që lejon vendimmarrje të shpejtë dhe të koordinuar në nivelin politik të BE-së në kohë krize.