Botë

Kolona të gjata në kufi, rusët po ikin me të madhe pas thirrjes së Putinit për mobilizim

Descriptive Text

Kolonat janë shtuar përgjatë kufirit të Rusisë për shkak se burrat po përpiqen të largohen nga vendi pas një thirrjeje ushtarake për luftë në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi të mërkurën mobilizim të pjesshëm ushtarak, ku sipas tij, mund të thirren 300,000 njerëz për të shërbyer në luftë, raportoi BBC-ja të enjten.

Kremlini thotë se raportet për arratisjen e burrave të cilët janë në moshë luftimi janë të ekzagjeruara.

Por në kufirin me Gjeorgjinë, janë krijuar radhë të gjata me kilometra të automjeteve, duke përfshirë burra që përpiqen t'i shpëtojnë luftës.

Një burrë, i cili nuk donte të identifikohej i tha BBC-së se e kishte marrë pasaportën dhe ishte nisur drejt kufirit, pa paketuar asgjë tjetër, menjëherë pas njoftimit të presidentit Putin - sepse ai ra në grupin që mund të dërgohej në luftë.

Disa dëshmitarë vlerësuan se radha e makinave në pikën e kontrollit të Larsit të Epërm ishte rreth 5 km e gjatë, ndërsa një grup tjetër tha se iu deshën shtatë orë për të kaluar kufirin.

Video nga vendi i ngjarjes tregojnë disa shoferë duke lënë makinat ose kamionët e tyre përkohësisht si pasojë e bllokimit të rrugës.

Gjeorgjia është një nga vendet e pakta fqinje ku rusët mund të hyjnë pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë. Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, kërkon një vizë për udhëtim dhe gjithashtu raportoi një rritje të trafikut gjatë natës, por tha se ishte në një nivel të menaxhueshëm.

Destinacione të tjera të arritshme përmes transportit ajror - si Stambolli, Beogradi ose Dubai - kanë parë që çmimet e biletave janë rritur “në qiell”, menjëherë pas shpalljes së thirrjes ushtarake. Biletat janë shitur për disa ditë të ardhshme plotësisht.

Mediat turke kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve të biletave me një drejtim, ndërsa fluturimet e mbetura drejt destinacioneve pa viza mund të kushtojnë mijëra euro.

Thirrja e Putinit për luftë shkaktoi protesta në qytetet kryesore ruse, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun të martën, duke rezultuar me rreth 1,300 të arrestuar.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.